Arjola Limani, studentja që po jeton ëndrrën amerikane
“Procesi i përzgjedhjes në Clinton School of Public Service kalon në 3 faza; e para është ajo e pranimit dhe përzgjedhjes së aplikimit, më pas faza e konkurrimit për bursë, ku unë u përzgjodha për t’u pajisur me bursë të plotë, dhe faza e tretë është një fazë që nuk është e aplikueshme për të gjithë studentët, por vetëm për ata që përzgjidhen nga Komiteti i Vlerësimit të Universitetit. Kjo fazë ka të bëjë me aplikim për fonde në një nga organizatat kombëtare amerikane që mbështet studentë të veçantë që kanë arritur rezultate shumë të larta akademike në formimin e mëparshëm të tyre. Falë kalimit me sukses të këtyre fazave kaq impenjative tashmë jam këtu”, tregon Arjola lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së studentëve nga ana e universitetit. Programi që ajo po studion aktualisht është dyvjeçar dhe ka për synim formimin e studentëve, në mënyrë që të kenë një përgatitje cilësore për të shërbyer në administratën publike.
Ajo pranon se ka vështirësitë e çdo studenti tjetër, por këtyre u shtohet ndërrimi i ambientit dhe përshtatja me një mënyrë krejt tjetër jetese. Ndër momentet më të bukura përmend vizitën në “Clinton Presidential Center”, e cila është rezidenca e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton dhe zonjës së tij Hillary, si dhe takimin me vajzën e tyre Chelsea, gjatë një aktiviteti në kuadër të “Speaker Series”.
Gjatë kohës së studimeve në Shqipëri, Arjola nuk ka qenë vetëm një studente e talentuar, por edhe një aktiviste politike, duke mbajtur edhe postin e nënkryetares së FRESSH-it për Tiranën në vitin 2013. “Mendoj që angazhimi në politikë dhe në shoqërinë civile janë një vlerë e shtuar për çdo të ri që synon dhe ka dëshirë të ndryshojë qoftë edhe një aspekt sado të vogël të ambientit ku jeton. Personalisht kam qenë e angazhuar si në politikë, ashtu dhe në shoqërinë civile, dhe ajo që mund të them është se eksperienca e fituar bëri të mundur që unë të jem sot këtu. Kështu që inkurajoj çdokënd që të angazhohet sa më shumë. Eksperienca gjithmonë vlen”.
Largësia bën të vetën, por ajo vazhdon t’i ruajë kontaktet me miqtë e saj aktivistë dhe vazhdon të ndjekë zhvillimet në Shqipëri.
Lidhur me sistemin arsimor në Shqipëri, Arjola sheh shumë progres, si në arsimin profesional ashtu edhe në ligjin e ri të arsimit. Duke qenë pjesë e modelit të arsimit në një prej vendeve anglo-saksone, ajo i sheh në mënyrë optimiste zhvillimet e fundit në arsimin shqiptar. “Në sistemin arsimor në Shqipëri, mund të them se është për t’u vlerësuar fakti i ngritjes së shkollave profesionale. Mendoj që formimi i të rinjve në këto shkolla lidhet ngushtë me kontributin e njohurive dhe të shprehive praktike të brezit të ri në shërbim të rritjes ekonomike. Gjithashtu mund të them se në këndvështrimin tim, ligji i ri për arsimin e lartë e transformon të gjithë sistemin, duke krijuar kështu hapësira të reja për studentin, për pedagogun dhe për kërkimet shkencore”. Ajo është e lumtur që diploma e parë e saj mban emrin e UET dhe e sheh këtë institucion si një aset publik. “Në lidhje me UET, e vlerësoj shumë faktin që diplomën time të parë e kam marrë pranë këtij universiteti dhe mendoj që UET është një aset publik me mjaft vlera”, shprehet ajo.
Po pasi të mbarojë studimet në SHBA, ç’do të ndodhë me Arjolën? “Sapo kam filluar studimet dhe ky është vetëm muaji i dytë. Më presin plot dy vite të tjera angazhim dhe përkushtim. Programi universitar këtu të jep mundësinë të zgjerosh njohuritë, qoftë në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik, kështu që po mundohem të jap maksimumin tim në mënyrë që çdo njohuri të përfituar këtu, ta investoj në vendin tim”, thekson Limani. /Mapo/Telegrafi/


