Antonio Conte merr dënim të lartë për kartonin e kuq ndaj Interit
Trajneri i Napolit, Antonio Conte, është dënuar me dy ndeshje pezullim në Serie A dhe me një gjobë prej 15 mijë eurosh, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e së dielës kundër Interit në “Giuseppe Meazza”.
Vendimi është konfirmuar zyrtarisht nga Lega Serie A, e cila sqaroi se Conte nuk do ta udhëheqë Napolin nga stoli në dy ndeshjet e ardhshme kampionale, ndaj Parmës dhe Sassuolos.
Incidenti ndodhi në pjesën e dytë të sfidës kundër Interit, pasi vendasit fituan një penallti pas rishikimit me VAR. Conte reagoi ashpër ndaj vendimit, duke humbur kontrollin emocional.
Tekniku italian goditi topin nga zona teknike, veprim që solli kartonin e kuq. Para se të largohej nga fusha, ai gjithashtu hodhi një shishe në tokë dhe bërtiti me tone të ashpra në drejtim të gjyqtarit të katërt.
Napoli rikthehet në aksion që nesër, në ndeshjen e riplanifikuar të javës së 16-të kundër Parmës në shtëpi, ndërsa të shtunën do të përballet me Sassuolon, po ashtu në stadiumin “Diego Armando Maradona”, pa praninë e Contes në stol.
Në të njëjtën xhiro të Serie A, kartonë të kuq morën edhe trajnerët Paolo Vanoli (Fiorentina) dhe Davide Nicola (Cremonese), por ndryshe nga Conte, ata u ndëshkuan vetëm me nga një ndeshje pezullim. /Telegrafi/


