Ankohen qytetarët nga fshati Gllamnik i Podujevës: Që dy javë nuk janë larguar mbeturinat
Banorët e fshatit Gllamnik kanë shprehur shqetësimin për moslargimin e mbeturinave nga kompania “Pastrimi”, duke bërë thirrje për ndërhyrje urgjente edhe nga Komuna e Podujevës.
Sipas banorëve, kanë kaluar dy javë pa u larguar mbeturinat nga kontejnerët e stërmbushur mbushur. Në kulmin e sezonit të verës dhe me temperatura të larta, era e rëndë është bërë e padurueshme, dhe situata po shndërrohet në rrezik serioz për shëndetin publik.
Tutje thuhet se problem tjetër është edhe shpërndarja e mbeturinave nga qentë endacakë, të cilët po krijojnë papastërti në rrugët e fshatit dhe po rrisin rrezikun për fëmijët, të moshuarit dhe banorët e tjerë, raporton Telegrafi.
“I bëjmë thirrje publike kompanisë 'Pastrimi' që ta kryejë sa më parë obligimin e saj ndaj qytetarëve”, thuhet në reagimin e banorëve.
“Qytetarët paguajnë për këtë shërbim dhe kanë të drejtë të jetojnë në një mjedis të pastër dhe të sigurt. Gllamniku nuk duhet të harrohet. Banorët e këtij fshati meritojnë të trajtohen njësoj si çdo qytetar tjetër i Komunës së Podujevës”, thuhet tutje në reagimin e banorëve.
Ata shpresojnë që ky apel të merret seriozisht dhe që problemi të zgjidhet sa më shpejt, para se situata të përkeqësohet edhe më shumë. /Telegrafi/


