Angazhim maksimal dhe motiv i lartë i Kosovës në stërvitje në Doha – Flasin Blendi Baftiu dhe Arbër Hoxha
Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën e tretë stërvitore në kuadër të përgatitjeve në Katar për miqësoren me Suedinë, që zhvillohet të dielën, në Doha.
Stërvitja e sotme ka nisur me ushtrimet e zakonshme fizike, vrapim dhe lojë në hapësirë të vogël me pasime të shpejta. Më pas përzgjedhësi Challandes ka punuar në skemat taktike dhe në lojën me presion të lartë, duke i dhënë vazhdimisht instruksionet e tij për futbollistët.
Gjendja e lojtarëve është shumë e mirë dhe motivi i secilit prej tyre është maksimal, derisa vërehet edhe dëshira e lojtarëve që janë për herë të parë pjesë e Kosovës për t’i dëshmuar vlerat e tyre.
Stërvitjen e fundit para duelit me suedezët, Dardanët, do ta zhvillojnë nesër (e shtunë) pasdite.
Blend Baftiu Është një ndjenjë e veçantë dhe e papërshkrueshme, por njëherësh edhe përgjegjësi të jesh pjesë e Kombëtares A. Është hera e parë për mua që kam marrë ftesë nga përzgjedhësi Challandes dhe po ndjehem shumë mirë në mesin e bashkëlojtarëve. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, prandaj besoj që do të kemi paraqitje të mirë kundër Suedisë. Të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe angazhimi i secilit në stërvitje është maksimal. Për këtë arsye pres që të kemi një prezantim sa më të mirë në ndeshjen e së dielës. Normalisht që ëndërr dhe synim i imi është që edhe në të ardhmen të jem pjesë e Kombëtares A.


