Please enter at least 3 characters.

Andovski: Në Kërçovë do të ndërtohet spital i ri, investimi kap vlerën prej 22,5 milionë eurove

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, dhe drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm Kërçovë, Maja Cvetanovska Trajkovska, së bashku me një delegacion të Bankës Botërore, vizituan spitalin e Kërçovës dhe shqyrtuan konceptin për ndërtimin e një objekti të ri spitalor.

Investimi i planifikuar vlerësohet në rreth 1,38 miliardë denarë, respektivisht 22,5 milionë euro.

“Kërçova prej dekadash përballet me kushte të papërshtatshme spitalore. Ka ardhur koha që ky problem të marrë një zgjidhje funksionale dhe të qëndrueshme. Qëllimi është që qytetarët të marrin kujdes shëndetësor të sigurt në qytetin e tyre, ndërsa punonjësit shëndetësorë të kenë kushte moderne pune”, deklaroi Andovski.

Kompleksi i ri do të ketë hapësira bashkëkohore për diagnostikë, trajtim spitalor dhe kujdes urgjent, sisteme për gazra mjekësorë dhe zgjidhje energjetike efikase.

Spitali do të ofrojë shërbime për Komunën e Kërçovës dhe për banorët e vendbanimeve përreth, duke ulur nevojën që pacientët të udhëtojnë drejt Shkupit, Ohrit apo Manastirit.

Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se spitali i ri pritet të japë fund pasigurisë shumëvjeçare dhe të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme shëndetësore për Kërçovën dhe rajonin.