Please enter at least 3 characters.

Aimona Vogli: Dezinformimi dhe nxitja për klikime po e shtyjnë gazetarinë cilësore drejt rrezikut

Aimona Vogli
Foto: Ridvan Slivova

Në një kohë kur inteligjenca artificiale po e përshpejton prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve, dezinformimi dhe keqinformimi janë shndërruar në një nga sfidat më serioze për mediat, demokracinë dhe proceset zgjedhore në rajon.

Këto tema u trajtuan gjerësisht në “Përballje Podcast”, në një bashkëbisedim me Aimona Vogli nga Faktoje.al, organizatë që merret me verifikimin e fakteve në Shqipëri dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor.

- YouTubewww.youtube.com

Vogli e cila është menaxhere editoriale thekson se sot është “akoma më e rëndësishme të flitet për verifikimin e fakteve dhe informacionin e verifikuar në periudha zgjedhore”, duke nënvizuar se informacioni që konsumojmë ndikon drejtpërdrejt në perceptimin tonë për realitetin dhe në mënyrën se si vendosim për votën.

“Gazetaria jo-cilësore dhe fenomeni i clicbait, i cili, haset shpesh në rajon. E nxitur nga nevoja për të gjeneruar klikime, kjo formë raportimi mbështetet në lajme të paverifikuara, praktika copy-paste dhe mungesa e kontekstit ka rritur rrezikun e keqinformimit të publikut” ka thënë ajo shkruan Telegrafi.

Aimona Vogli nga Faktoje.al në 'Përballje Podcast' me kryredaktorin e Telegrafit Muhamet HajrullahuFoto: Ridvan Slivova

Sipas saj, kjo qasje përbën një rrezik serioz për gazetarinë profesionale, veçanërisht në kohën e rrjeteve sociale, ku informacioni shpërndahet me shpejtësi dhe shpesh pa kaluar filtrat e nevojshëm editorialë.

Ajo ka folur edhe për rolin e Faktoje.al në Shqipëri dhe për rolin e saj në verifikimin e informacionit.


Sipas saj, Faktoje operon në dy drejtime kryesore, verifikimin e deklaratave dhe premtimeve të zyrtarëve publikë, si dhe verifikimin e dezinformatave dhe narrativave që qarkullojnë online, shpeshherë të ndikuara edhe nga aktorë të huaj dashakeqës.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura në podcast lidhet me ndikimin e dezinformimit në jetën e përditshme.

“Kur flasim për dezinformim nuk është një gjë abstrakte”, shprehet Vogli, duke përmendur rastet e informacionit të rremë për shëndetin, të cilat mund të çojnë deri te ndërprerja e mjekimeve dhe rrezikimi serioz i mirëqenies së njerëzve.

Diskutimi në podcast u ndal edhe te roli i mediave dhe rreziku i gazetarisë së orientuar nga klikimet.

Sipas Vogl-it, “gazetaria jo-cilësore ose e klikimeve” është një problem i përhapur në gjithë Ballkanin Perëndimor, ku etja për audiencë shpesh e zëvendëson verifikimin e burimeve dhe kontekstin e duhur të lajmit.

Aimona Vogli Foto: Ridvan Slivova

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua inteligjencës artificiale.

Vogli vlerëson se AI, nga njëra anë, po përdoret për të krijuar përmbajtje të manipuluara dhe dezinformuese, por nga ana tjetër po shfrytëzohet edhe për të zhvilluar mjete verifikimi.

“Teknologjia nuk e ka mendimin kritik”, thekson ajo, duke nënvizuar se ky është avantazhi kryesor i gazetarëve dhe i publikut të informuar.

Këshilla e saj për audiencën është e thjeshtë, të ndalet, të mendojë dhe të kërkojë burimin para se të besojë ose të shpërndajë një informacion që shkakton emocione të forta.

Në përmbyllje, Aimona Vogli shpreh bindjen se, pavarësisht sfidave që sjellin propaganda politike, algoritmet dhe zhvillimet teknologjike, gazetaria cilësore do të vazhdojë të ekzistojë.

“Gazetaria është mision”, thotë ajo, duke theksuar se gjithmonë do të ketë gazetarë dhe organizata me integritet që do të luftojnë për të vërtetën dhe për edukimin e mendimit kritik të shoqërisë./Telegrafi/.