Ahmeti: Produktet pyjore jo drusore sjellin deri në 20 milionë euro eksport në vit
Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi - FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i katërt i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”.
I ftuar në podcast ishte Tahir Ahmeti, Drejtor i Departamentit të Pylltarisë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili foli për rolin ekonomik të pyjeve dhe mospërputhjen mes përfitimeve reale që sjell sektori dhe mbështetjes institucionale që merr.
Sipas Ahmetit, vitet e fundit Kosova ka shënuar rritje të konsiderueshme të eksportit të produkteve pyjore jo drusore, të cilat janë të kërkuara në tregun evropian për shkak të vlerave të tyre organike.
“Në vitet e fundit, eksporti i produkteve pyjore jo drusore arrin nga 15 deri në 20 milionë euro në vit dhe në disa raste e tejkalon edhe shfrytëzimin e masës drusore”, theksoi ai shkruan Telegrafi.
Ai shtoi se këto produkte sigurojnë të ardhura të drejtpërdrejta për komunitetet lokale, veçanërisht në zonat rurale dhe malore.
“Shumë komunitete lokale bazohen në mbledhjen dhe përpunimin e produkteve pyjore jo drusore, të cilat përkthehen drejtpërdrejt në të ardhura për familjet rurale”, tha Ahmeti.
Pavarësisht këtij potenciali ekonomik, Ahmeti kritikoi nivelin e ulët të investimeve publike në sektorin e pylltarisë, duke theksuar se buxheti aktual nuk reflekton rëndësinë strategjike të pyjeve.
“Kur flasim për mbi 44 për qind të territorit të Kosovës të mbuluar me pyje, buxheti vjetor për pylltari nuk tejkalon katër milionë euro. Kjo është sa ndërtimi i një rruge të vogël në një fshat”, u shpreh ai transmeton Telegrafi.
Ai krahasoi situatën aktuale me të kaluarën, duke theksuar se pavarësisht rritjes së përgjithshme të buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë, investimet në pylltari kanë mbetur minimale.
“Në fillim të punës sime në Ministrinë e Bujqësisë, nga rreth dhjetë milionë euro buxhet, dy deri në tre milionë shkonin për pylltari. Sot, me mbi njëqind milionë euro buxhet total, vetëm rreth katër milionë euro ndahen për këtë sektor”, tha Ahmeti
Ahmeti theksoi se pyjet janë një nga asetet kryesore për zhvillimin e turizmit malor dhe eko-turizmit në Kosovë, veçanërisht në mungesë të burimeve të tjera natyrore siç është deti.
“Ne nuk kemi det, por kemi pyje dhe male. Turizmi malor dhe shërbimet që ofrohen në zonat pyjore janë potencial real për rritjen e të hyrave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të fshatrave”, deklaroi ai.
Sipas tij, pyjet kontribuojnë edhe në mbrojtjen e tokës, parandalimin e erozionit dhe sigurimin e burimeve të ujit, duke qenë themel për sektorë të tjerë si bujqësia.
“Nuk mund të ketë bujqësi pa pyje. Pyjet mbrojnë tokën, ujin dhe parandalojnë vërshimet”, theksoi Ahmeti.
Ahmeti bëri thirrje për rritje të ndërgjegjësimit institucional dhe riorientim të politikave publike drejt një trajtimi më serioz të sektorit të pylltarisë.
“Institucionet duhet të investojnë më shumë në ajrin tonë, në ujin tonë, në tokën tonë dhe në shëndetin e njerëzve. Pylltaria nuk është luks, por bazë e zhvillimit të qëndrueshëm”, përfundoi ai
Sipas drejtorit të Departamentit të Pylltarisë, pyjet nuk duhet parë vetëm si burim i lëndës së drurit, por si resurs me vlera të shumëfishta ekonomike dhe mjedisore.
“Shfrytëzimi i masës drusore është vetëm një e dhjeta e përfitimeve që një vend nxjerr nga pyjet. Pyjet janë ujë, ajër, biodiversitet, turizëm malor dhe produkte pyjore jo drusore që sot gjenerojnë miliona euro eksport”, theksoi ai.
Në këtë podcast u theksua edhe roli kyç i partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht i FAO-s, Suedisë dhe Bashkimit Evropian, në mbështetjen e sektorit të pylltarisë.
Ai paralajmëroi se kjo mbështetje mund të zvogëlohet në të ardhmen, duke bërë thirrje për rritjen e angazhimit institucional dhe buxhetor vendor.
Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO).Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/.


