Please enter at least 3 characters.

Abdixhiku vazhdon tubimet në rajonin e Dukagjinit: Shpresa është kthyer

Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar takimet elektorale në rajonin e Dukagjinit duka prezantuar programin e LDK-së në Pejë, Klinë, Junik dhe Deçan.

Ai tha se prania e madhe e qytetarëve në shesh në Pejë është mesazh se, sipas tij, rrugëtimi i LDK-së po merr forcë.

“Peja ka ditur gjithmonë të prijë në momente të mëdha. Edhe sot, na dha një mesazh të qartë: shpresa është kthyer. Bashkimi po rritet. Rrugëtimi ynë po merr forcë”, ka shkruar Abdixhiku.

Gjatë tubimit në Klinë, Abdixhiku prezantoi disa prej zotimeve të programit të tij qeverisës, duke premtuar koeficient 150 euro për mbi 80 mijë punëtorë të sektorit publik që në javën e parë të qeverisë.

Ai tha se mësuesit do të kenë pagë 1000 euro, ndërsa policët, ushtarët, infermierët dhe zjarrfikësit paga prej 900 euro në muaj.

Ndërkaq, në tubimin e mbajtur në Deçan, Abdixhiku u zotua se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet gjatë mandatit të LDK-së, duke paralajmëruar “moratorium të plotë për tre vite” për rritjen e çmimit.