Please enter at least 3 characters.

A është ky goli më i mirë i vitit? Talisca hedh kandidaturën për çmimin ‘Puskas’

Fenerbahce mori një fitore të rëndësishme me rezultat 4-1 në shtëpi ndaj Trabzonsporit në kuadër të javës së 30-të në elitën e futbollit turk.

Kjo fitore bën që ekipi i Jose Mourinhos të futet seriozisht në garën për titull, teksa ata tashmë i ndajnë vetëm tri pikë nga lideri Galatasaray.

Fytyra kryesore e Fenerbahces në këtë sfidë ishte padyshim braziliani Anderson Talisca, i cili realizoi het-trik.

Talisca u transferua tek Fenerbahce gjatë afatit kalimtar të janarit nga Al-Nassr dhe kjo ishte ndeshja e tij më e mirë me fanellën e tyre.

Ajo që la më së shumti përshtypje ishte goli i tij i tretë i cili la të mahnitur bashkëlojtarët e tij dhe tifozët prezent në stadium.

Me një goditje fantastike nga jashtë zonës, Talisca e la pa asnjë mundësi portierin mysafir, i cili gjithçka që mundi të bënte në atë rast ishte ta shikonte topin teksa po shkonte në rrjetë.

Ky gol tashmë po konsiderohet si njëri prej më të mirëve të vitit, madje edhe një kandidat i mundshëm për ta fituar çmimin ‘Puskas’.

Kujtojmë se çmimi ‘Puskas’ ipet për golin më të mirë të vitit nga FIFA në një ceremoni gala./Telegrafi/