5 shenja që tregojnë se po mbani barrën emocionale të nënës ose gjyshes suaj
Zbuloni si mund të ndikojnë përjetimet e trashëguara emocionale në lumturinë tuaj. Njihni modelet që ju mbajnë peng dhe nisni procesin e shërimit të brendshëm
Ndoshta brenda jush ekzistojnë emocione që nuk janë plotësisht tuajat, por janë përcjellë nga linja femërore e familjes suaj. Kjo lidhje e padukshme mes brezave shpesh mund të ndikojë në ndjenjën e fajit, turpit, konflikteve të brendshme ose një trishtimi të thellë që nuk shpjegohet lehtë.
A jeni ndier ndonjëherë sikur mbani një barrë që nuk dini ta shpjegoni?
Sikur ju ndjek një melankoli e vjetër, një ndjenjë detyrimi ose një dhimbje e padukshme që përshkon qenien tuaj, pa e ditur prej nga vjen? Ndoshta kjo lidhet me përvojat e nënës, gjyshes ose stërgjyshes suaj, gra të cilave dikur nuk u është lejuar t’i shprehin lirshëm emocionet, prandaj ato ndjenja janë bartur në mënyrë të pavetëdijshme në brezat pasues.
1. Ndjenjë e fortë faji kur merrni kohë për veten
Kur dëshironi pushim, qetësi ose një moment vetëm për nevojat tuaja, shpesh mund të shfaqet parehati dhe ndjenja se “nuk po bëni mjaftueshëm”, ose se duhet të jeni vazhdimisht të dobishme për të tjerët.
Kjo ndjenjë faji nuk është gjithmonë vetëm personale. Ajo mund të jetë pasqyrim i brezave të grave që e kanë lidhur vlerën e tyre me kujdesin për të tjerët, sakrificën dhe heqjen dorë nga vetja.
2. Trupi mban tension pa ndonjë arsye të qartë
Trupi juaj mund të jetë në gjendje të vazhdueshme tensioni edhe kur nuk ekziston ndonjë arsye e dukshme: shtrëngim në stomak, frymëmarrje e cekët, qafë e ngrirë ose shpatulla të tendosura.
Këto reagime fizike ndonjëherë mund të lidhen me emocione të pashprehura, me modele stresi të mësuara në familje ose me një gjendje të brendshme gatishmërie që është përcjellë ndër breza.
3. Përsëritja e të njëjtave modele në marrëdhëniet emocionale
Ndoshta hyni në marrëdhënie ku përsëriten skenarë të ngjashëm: mungesë sigurie emocionale, moskuptim, distancë ose ndjenjë se nuk jeni mjaftueshëm të vlerësuara.
Këto modele shpesh burojnë nga mënyra si është përjetuar dashuria dhe afërsia në familje. Ato mund të përsëriten në mënyrë të pavetëdijshme derisa të njihen dhe të kuptohen, sidomos nëse modele të tilla i kemi parë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, te nënat ose gjyshet tona, transmeton Telegrafi.
4. Nevoja për ta dëshmuar vazhdimisht vlerën tuaj
Mund të ndieni një presion të brendshëm për të qenë gjithmonë “mjaftueshëm të mira”, qoftë përmes punës, ndihmës ndaj të tjerëve, përkushtimit të tepërt ose perfeksionizmit.
Ky model shpesh lidhet me histori familjare ku vlera e gruas nuk është pranuar mjaftueshëm për atë që ajo ishte, por është matur përmes durimit, punës, sakrificës dhe aftësisë për të përballuar gjithçka në heshtje.
5. Trishtim i pashpjegueshëm në periudha të rëndësishme të jetës
Gjatë ndryshimeve të mëdha, si shtatzënia, mëmësia, ndarja, plakja ose menopauza, mund të shfaqen trishtim, frikë ose ndjenjë humbjeje pa një arsye të qartë.
Në këto periudha, njeriu shpesh bëhet më i ndjeshëm ndaj historisë së vet familjare. Ndryshimet e mëdha mund të hapin plagë të vjetra, kujtime të heshtura ose emocione që nuk janë kuptuar plotësisht më parë.
Si të gjeni rrugën drejt lehtësimit?
Nëse i njihni këto modele te vetja, është e rëndësishme të dini se nuk jeni vetëm. Shumë gra kalojnë nëpër procesin e zgjidhjes së “nyjave” të brendshme emocionale, të cilat ndoshta nuk kanë nisur drejtpërdrejt nga përvoja e tyre personale, por vazhdojnë t’i ndikojnë.
Hapi i parë është vetëdijesimi: të dalloni çfarë i përket historisë suaj dhe çfarë mund të jetë trashëguar si model emocional, sjellje ose mënyrë reagimi nga familja.
Fjalia që mund të ndryshojë shumëçka
Kur i thoni vetes: “Kjo është pjesë e trashëgimisë sime familjare, por nuk ka pse ta përcaktojë jetën time”, fillon procesi i ndryshimit.
Psikoterapia, qasjet somatike dhe mbështetja e grave me përvoja të ngjashme mund të jenë shumë të vlefshme në këtë rrugë. Këto modele nuk ndryshojnë shpejt, por me durim, mirëkuptim dhe kujdes ndaj vetes, ato mund të dobësohen gradualisht.
Shërimi i historisë personale shpesh nënkupton edhe një lloj shërimi simbolik të brezave që kanë ardhur para nesh, por edhe krijimin e hapësirës që brezat e ardhshëm të jetojnë më lirshëm, më lehtë dhe me më pak barrë emocionale. /Telegrafi/


