Please enter at least 3 characters.

39 gëzhoja pas të shtënave në ahengun familjar në Ferizaj, dy persona nën hetim

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur më 1 shtator 2026, rreth orës 00:30, kur Stacioni Policor në Ferizaj ka pranuar informatën se në një restaurant në fshatin Balaj kishte pasur të shtëna me armë zjarri.

Njësitet reaguese të Policisë së Kosovës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas në vend kanë dalë edhe njësiti i hetimeve dhe njësiti i forenzikës.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë tërhequr gjithsej 39 gëzhoja të armëve me gaz.

Në kuadër të hetimeve, zyrtarët policorë kanë siguruar dhe intervistuar dëshmitarë, ndërsa si prova materiale janë siguruar edhe video-incizime.

Nga analizimi i këtyre pamjeve janë identifikuar dy persona të dyshuar, R.L., 27-vjeç, dhe SH.M., 35-vjeç, të cilët dyshohet se kanë shtënë me armë gjatë ahengut familjar.

Ndaj të dyshuarit R.L. është iniciuar rast për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ndërkaq, ndaj të dyshuarit SH.M. është iniciuar rast për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Gjatë veprimeve policore janë sekuestruar dy armë me gaz.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore. /Telegrafi/