"16 Ditë Aktivizëm" - Diskutohet dhuna në familje dhe integrimi i komunitetit Rom në Kamenicë
Në kuadër të fushatës globale "16 Ditë të Aktivizmit Kundër Dhunës ndaj Grave", në Kamenicë u organizua një punëtori sensibilizuese me temën "Dhuna në familje me të rinjtë e komunitetit Rom".
Aktiviteti u mbajt nga OJQ “Llulludi” në bashkëpunim me Njësinë Komunale për të Drejtat e Njeriut, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së.
Punëtoria u hap me fjalime përshëndetëse nga Shpëtim Mustafa, përfaqësues i OSBE-së, dhe Renat Redzepi, nga OJQ “Llulludi”. Ata theksuan rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe edukimit për të luftuar dhunën në familje, duke vënë në fokus përfshirjen e komuniteteve të margjinalizuara.
Nazmije Demolli Kastrati, Koordinatore e Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje (MKKDhF) dhe e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut (NJKDNJ), foli për rolin e Mekanizmit Koordinues në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës.
Ajo theksoi rëndësinë e arsimimit të të rinjve të komunitetit Rom si një hap kyç drejt integrimit dhe fuqizimit shoqëror.
Kurse, Shefi i Njësisë së Hetimeve në Stacionin Policor të Kamenicës, toger Nazmi Hoti ndau përvojat e Policisë së Kosovës në trajtimin e rasteve të dhunës dhe sfidat që hasen gjatë hetimeve.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Rifat Hajdari prezantoi shërbimet që Qendra për Punë Sociale ofron për viktimat e dhunës dhe familjet e tyre, duke nënvizuar qasjen institucionale ndaj trajtimit të rasteve.
Ndërsa, Mirsije Ajvazi, përfaqësuese nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas, informoi pjesëmarrësit mbi ndihmën juridike falas të disponueshme për viktimat e dhunës dhe rëndësinë e mbështetjes ligjore për fuqizimin e tyre.
Kosovare Maroca Berisha, Zyrtare për Barazi Gjinore, diskutoi përpjekjet institucionale dhe politikat që promovojnë barazinë gjinore, duke theksuar nevojën për ndërgjegjësimin e komuniteteve mbi rëndësinë e barazisë dhe parandalimit të dhunës. /Telegrafi/


