LAJMI I FUNDIT:

Amendamentimi i Kushtetutës është sfidë

Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës do që t’i zgjatet afati i veprimtarisë. Një gjë e tillë ndodh kur ky komision kishte bërë publike sugjerimet dhe opinionet e marra nga qytetarët, në procesin e ndryshimeve kushtetuese, për pjesën që ndërlidhet me zgjedhjen e presidentit. Kur puna e tij kishte hyrë në fazën finale, kur pritej të bëheshin komentet dhe të parashikoheshin propozim-amendamentet nga partitë politike (20 nëntor deri më 5 dhjetor), kur kryetari i Komisionit kishte deklaruar se projekt-amendamentet kushtetuese, jo vetëm për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, por edhe për amendamentim të Nenit 84 të Kushtetutës, që sanksionon kompetencat e tij, për të cilat thuhet se komisioni nuk është autorizuar t’i përgatisë, do t’i dorëzoheshin për shqyrtim e miratim Kuvendit deri më 20 dhjetor.

Ndërkohë, kur Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës, vazhdonte punën edhe Komisioni për Reformën Zgjedhore, u hodhën për diskutim në të propozime nga më të ndryshmet, propozimet për përzgjedhjen dhe përcaktimin e sistemit zgjedhor që variojnë nga mazhoritari i pastër deri te sistemi propocional në rang kombëtar me lista partiake të mbyllura.


Reforma e pritshme e sistemit zgjedhor do të përcaktojë e ligjërojë jo vetëm administrimin e procesit të zgjedhjeve, defektet e të cilit u shfaqën dukshëm dhe në përvojën tonë më të fundit, që na u vu në dukje dhe në Raport-Progresin e 2011-s, por edhe te sistemi zgjedhor. Sistemi aktual pritet të zëvendësohet nga një prej varianteve të njohura brenda hapësirës nga maxhoritari i pastër deri te propocionali i pastër, me lista të mbyllura në gjithë territorin.

Fillimisht kam qenë dakord me formësimin dhe objektivin e punën së dy komisioneve, por kam hezituar të pajtohem me nxitimin e tyre për dhënien e “përfundimeve” për çështje kaq të rëndësishme, që atakojnë dhe kërkojnë ndryshimin e ndjeshëm të Kushtetutës. Mendoj se ndryshimi i Ligjit Themeltar të Shtetit tonë është problem më i madh, është sfida jonë. E konsideroj sfidën aktuale më të rëndësishme sepse:

– Kosova, shteti më i ri dhe më i varfër në Evropë, nuk “vuan” nga “mangësi” të ligjeve dhe të Kushtetutës, por nga zbatimi i tyre prej institucioneve shtetërore ende të pakonsoliduara.

– Ndryshimet e pritshme kushtetuese, që kanë hyrë në një rrugë të pakthyeshme, prekin në mënyrë të pashmangshme elementët substancialë të formës së shtetit republikan. Për këtë arsye kanë filluar diskutimet për Republikën e Kosovës si republikë presidenciale (tipike është SHBA-ja, kurse në Evropë, Franca), gjysmëpresidenciale si Maqedonia, Kroacia apo përvojat në vendet e Amerikës Latine, ku presidenti zgjidhet nga populli, por është me më tepër kompetenca e më veprues sesa në Maqedoni.

– Zgjedhja e presidentit nga populli krijon, duam apo s’duam, një individ – institucion të gjithëpushtetshëm. Kjo dukuri, në shtete dhe demokraci ende të pakonsoliduara, mund të nxisë dhe të afirmojë drejtues autoritarë.

– Amendamentimi i Kushtetutës është i pashmangshëm. Por, për të mos tronditur fort, për të mos rrezikuar themelet e brishta të një shteti “foshnjor”, ndonëse i bie ndesh marrëveshjes ndërpartiake për zgjidhjen e presidentit, do të sugjeroja: zgjedhjen e tij nga Kuvendi me shumicë të cilësuar (3/5). Një president konsensual zgjedhur nga mazhoranca dhe minoranca (siç ka funksionuar deri në 2008-n në Republikën e Shqipërisë), i shërben zgjedhjes cilësore, besueshmërisë popullore dhe autoritetit real të kreut të shtetit. Natyrshëm, kjo zgjidhje kërkon amendamentim të Kushtetutës, por nuk kërkon ndryshime thelbësore të saj, që vazhdojnë me Nenin 84 dhe me përcaktimin e formës republikane të shtetit të Kosovës. (Ky sugjerim buron nga përvojat e republikave tipike parlamentare evropiane, si Gjermania dhe Italia, në shembullin e të cilave është mbështetur dhe funksionon shteti ynë).

– Hartimin dhe miratimin e një sistemi zgjedhor parlamentar sa më të përdorshëm, të administrueshëm dhe të besueshëm nga subjektet politike dhe elektorati. Përvoja ka! Por, mosbesimi i pranishëm dhe i manifestuar në mes forcave politike e bën të vështirë adoptimin e ndonjë prej përvojave.

– Njëherësh do të kërkoja, që në media të mos cilësohet amendamentimi një “shkujdesje e jashtëzakonshme, që të tronditë për sa i përket përgjegjshmërisë”. Amendamentimi i Kushtetutës është në proces dhe do të bëhet, por kurrsesi nuk do të jetë “pervers”. Zhvillimet e deritanishme politike dhe demokratike në Kosovë kanë provuar se janë të arsyeshme, të pranuara nga qytetarët, efektive në funksionimin e shtetit dhe në konfirmimin ndërkombëtar të Kosovës.

Amendamentimi i Kushtetutës aktualisht është sfidë. Në këtë sfidë pozicioni personal është në mbrojtje të shtetit, institucioneve dhe ligjeve të prodhuara deri tash. Do të dëshiroja që ndërhyrja në themelet ligjore të shtetit tonë të mos na dëmtonte themelet.