Aliu: Ligji kundër duhanpirjes është evropian

Ligji i propozuar për mbrojtje nga duhanpirja, i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë, i cili parasheh ndalim të duhanpirjes në hapësira të mbyllura publike dhe të punës, ka shkaktuar reagime të ndara në opinion. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, përmes një komunikate theksoi se ky ligj është në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve.
“Duhanpirja është zgjedhje personale e qytetarit, por hapësira e përbashkët e mbyllur që përdoret nga i gjithë kolektivi nuk guxon të jetë vend ku zgjedhja e individëve shndërrohet në rrezik për shëndetin e të tjerëve. Ligji i propozuar për mbrojtje nga duhanpirja nuk rregullon nëse dikush do të pijë duhan apo jo, por vetëm përcakton qartë se ku nuk lejohet kjo, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë personave të pranishëm”, tha Azir Aliu.
Sa i përket objekteve hoteliero-gastronomike dhe ndikimit të ligjit në punën e tyre, Aliu vlerëson se ai nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ.
Përvojat nga vendet evropiane që tashmë kanë zbatuar zgjidhje të tilla ligjore, si Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe shumë të tjera, tregojnë se këto masa nuk përbëjnë goditje për gastronominë dhe të ardhurat e saj, por një tranzicion drejt një ambienti më të rregulluar, më cilësor dhe më të parashikueshëm në objektet hoteliero-gastronomike”, deklaroi Azir Aliu.





















































