LAJMI I FUNDIT:

Aleanca për Shqiptarët: BDI po fundos drejtësinë me premtime pa realizime

Aleanca për Shqiptarët: BDI po fundos drejtësinë me premtime pa realizime

Nëpërmjet një njoftimi të Aleancës për Shqiptarët thuhet se “BDI gjithmonë është mbështetur në pika të dobëta të shqiptarëve duke i shfrytëzuar ato si vegla premtuese në çdo cikël zgjedhor. E një ndër këto pika që për 18 vite BDI nuk arriti t’ua sigurojë shqiptarëve është drejtësia”.

“Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, jemi bërë dëshmitarë të bisedave që janë marrë si dëshmi në raste që i gjithë populli në vend, e edhe më gjerë i njeh si të montuara. Biseda këto që dëshmojnë se kjo parti ka bërë gjithçka për të mos djegur veten, duke djegur njerëz të pafajshëm”, shprehen nga Aleanca për Shqiptarët, njofton Telegrafi Maqedoni.

Nga kjo parti shtojnë se në programin zgjedhor të BDI-së të platformës 2016-020, në faqen e 12-të në pjesën ‘Drejtësia dhe sundimi i së drejtës’, qëndron premtimi për monitorimin dhe hetimin ndërkombëtar për rastet e montuara, premtim që sipas ASH-së, deri sot nuk është realizuar.


“Drejtësia dhe sundimi i së drejtës duket gjë e pamundur me BDI-në në pushtet, ndërkaq edhe marrëveshjet bilaterale për ndihmë juridike ndërkombëtare mbeten e kaluar. Duke marrë parasysh që nga viti 2016 asnjë marrëveshje e re bilaterale në këtë aspekt nuk është bërë, lehtë kuptohet që për BDI- në platforma zgjedhore është vetëm premtim pa asnjë realizim”, njoftojnë nga ASH.