Albright: Kosova nuk mund të krahasohet me rajonet separatiste të Gjeorgjisë

"Presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij urdhëruan spastrimin etnik të Kosovës. Ne u përpoqëm në disa rezoluta që të gjejmë zgjidhje, dhe vazhdimisht në bashkëpunim me rusët. Situata thjesht ishte e ndryshme. Ajo që bëri Millosheviqi nuk mund të krahasohet me atë që bënë gjeorgjianët për ta ruajtur vendin e tyre", ka thënë Albright për javoren gjermane Der Spiegel.
Albright ka kritikuar administratën amerikane për qasjen e saj ndaj Rusisë, duke thënë se ajo do të shkonte drejt në Moskë. "Unë do të shkoja drejt në Moskë, për dallim nga sekretarja aktuale e Shtetit, Condoleezza Rice. Do t'u thoja rusëve se sjellja e tyre është e papranueshme, por gjithashtu do t'u thoja se nuk ka kërcënim në kufijtë e tyre", ka thënë Albright.
"Nëse Vladimir Putini nuk e rishikon këtë, atëherë ne duhet të gjejmë mënyra për ta izoluar Rusinë ndërkombëtarisht", është shprehur ajo.
Albright ka shtuar se NATO-ja duhet t'i shtyjë përpara planet për anëtarësimin eventual të Gjeorgjisë, dhe i ka hedhur poshtë krahasimet e Moskës për Kosovën dhe rajonet separatiste të Gjeorgjisë. /rel/telegrafi/


































