LAJMI I FUNDIT:

“Albanian Shake”

Në kohën kur diskriminimi dhe varfëria janë bërë emërues i përbashkët i jetës së shqiptarëve në gjithë hapësirën tonë, ngutshëm po na mbyllen të gjitha rrugët, pos rrugës. Është rruga ajo që e çon sovranin për të votuar shërbëtorët e vet dhe vetëm në rrugë sovrani “i jep kamxhik” shërbëtorëve të cilët tentojnë të bëhen sovranë, para se t’i çojë drejt theqafjes.

Tani, ç’është “Albanian Shake”? “Albanian Shake” do të ishte një makro-version i fenomenit global “Harlem Shake” që po qarkullon kohëve të fundit në YouTube, por me të vetmin ndryshim në koncept dhe dedikim, i cili do të ishte: jo vallëzim, por revoltë; jo për YouTube, por për një Shqipëri, për mirëqenie dhe rregull.


Duhet pasur parasysh disa rregulla kronologjie të këtij vallëzimi, sipas të cilave në fillim vetëm njëri duket që po e dëgjon muzikën dhe po “nxehet” për të vallëzuar, kurse të tjerët sikur nuk e dëgjojnë muzikën dhe nuk e kanë mendjen tek ai që është “in”. Dhe, kur fillon rritmi, në ambientin e vallëzimit askush më nuk është në gjendjen e mëparshme. Pa asnjë rregull koreografie, të gjithë shfrytëzojnë lirinë që ua jep ambienti dhe mundësitë që ua jep trupi i tyre për të bërë lëvizje sipas qejfit.

Pra, nëse e marrim si conditio sine qua non formulën kronologjike, sipas të cilës ne do t’i “shkundim” trojet tona, kjo duhet të fillojë nga njëra pjesë e territorit ku jetojnë shqiptarë (sikur ta thyenim këtë rregull!), dhe pastaj të gjithë bashkohen rreth një ritmi, rreth një ideje.

Le të kthehemi pak tek arsyeja jonë për të performuar një “Albanian Shake”, duke filluar nga një pyetje e thjeshtë: qysh, kur, jemi të varfër? Nëse e eliminojmë efektin rashomon të nostalgjikëve për regjimet që kanë sunduar mbi ne gjatë historisë, nuk do ta mbajë mend askush ndonjë periudhë mirëqenieje tek shqiptarët. Mund të del ndonjë “druzhe Tito” që e quan mirëqenie vuajtjen e shqiptarëve në kohën e Jugosllavisë, por dua të besoj se nuk ka ndonjë të tillë! Vetëm se varfëria dhe izolimi në të cilin po jetojmë sot, medet, i bën disa të moshuar që me silogjizëm ta gjykojnë atë kohë si më të mirë se të tashmen (pa dashur t’i ngacmoj të moshuarit, të cilët mezi i kemi!).

Por, tani që në Shqipëri dhe Kosovë jemi në liri nga pushtuesit dhe nuk e shfrytëzojmë këtë liri për të përmbysur të keqen brenda nesh – e cila po na e merr këtë liri, duke na e bërë të pamundur që t’i bashkojmë tokat tona anëngrëna – kjo na bën borxhli ndaj takëmit tonë. Ngjajmë me atë përrallën e lypëses e cila martohet me një princ. Dhe, në gjithë atë begati që ka në shtëpinë e princit, ditëve kur është vetëm në shtëpi, kyçet në dhomë dhe vishet sikur dikur: merr një strajcë në krah, dhe shëtitet nëpër dhomë.

Rusoi thotë se “tërheqja para fuqisë, nuk është akt i dëshirës, por i domosdosë”. Dhe, nëse sipas kësaj logjike e marrim shembull aktin drejt të cilit ne duam ti shtymë ata të cilët njëkohësisht me të qenit bartës të pushtetit mbi shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë janë bartës të përgjegjësisë për gjithë varfërinë dhe mosfunksionimin e institucioneve, si dhe një konglomerati bracishë të tjera që së bashku e bëjnë të tërën, politikën shqiptare… duhet të vendosim rolin tonë në këtë proces! Duke mos harruar se ne jemi të prirë drejt barazisë, sepse jemi shumë; kurse ata drejt privilegjeve individuale, sepse janë pak… Dhe, këto kërkesa janë në konflikt të vazhdueshëm deri në ngadhënjimin përfundimtar të njërës. Kështu, njëri nga subjektet e këtij akti (ne ose ata), do ta eklipsojë fuqinë e tjetrit, në funksion të detyrimit të tjetrit që të tërhiqet. Pra, ne ose do të humbasim, ose do të fitojmë.

Ne nuk kemi të bëjmë me një të ligë këtu, sepse siç e definon edhe Spinoza, “e liga është asgjë”. Sipas tij, ekziston convenientia dhe disconvenientia. Pra “ çdo objekt, marrëdhëniet e të cilit janë në pajtim me marrëdhëniet e mia (convenientia), është i mirë për mua; dhe çdo objekt marrëdhëniet e të cilit i dekompozojnë të marrëdhëniet e mia, është i keq për mua”. Pra, pajtimi i marrëdhënieve tona në funksion të qëllimit për t’u shkëputur nga e keqja bëhet atëherë kur ne e identifikojmë të keqen (çka – duke iu referuar ankesave tona të përditshme – veç e kemi bërë), dhe pajtohemi se duam të shkëputemi nga ajo.

Tani, t’i kthehemi idesë sonë, e cila siç thotë Karl Jungu për idetë, “e ka tendencën fatkeqe, por të paevitueshme, për të qenë e vonuar pas situatës së përgjithshme”. Dhe, Jungu shkon më tej, duke thënë se ato (idetë) nuk mund të kenë fat tjetër përderisa nuk ndryshon asgjë në botën reale. Pra, sipas kësaj logjike, duhet të krijohet një situatë të cilën e kërkon ideja për t’u realizuar. Dhe, situat më të përshtatshme për ta “shkundur” tokën tonë, në mënyrë që të tregojmë se kush është sovrani i kësaj toke, nuk ka.

Të gjithë jemi të pakënaqur; të gjithë jemi të gënjyer; ndaj nesh nuk po përgjigjet askush; po na vidhen paratë; po na rrëmbehet liria; po na ikin vitet! Prandaj, le t’i “shkundim” tokat tona! Dhe, të bëjmë “Albanian Shake”!