Legjenda e Ligës Premier dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, Alan Shearer, ka publikuar formacionin e tij të gjysmësezonit për sezonin 2025/26, duke përfshirë Granit Xhakën si një nga yjet kryesorë.

Shearer ka vlerësuar lartë mesfushorin shqiptar të Sunderland, për lidershipin, por edhe për lëvzijet e tij me topin në fushë.


“U befasova pak kur ai la Bundesligën për të ardhur në Wearside, por ka qenë një lëvizje e shkëlqyer! Aftësia e tij me topin ka qenë e jashtëzakonshme, ashtu si edhe cilësitë e tij udhëheqëse, brenda dhe jashtë fushës”, shkroi Shearer ne pjesën për Xhakën.

Xhaka është pjesë e një formacioni që kombinon të rinj dhe përvojë, ku shtatë nga 11 lojtarët janë 25 vjeç ose më të rinj. Shearer ka përfshirë edhe lojtarë të tjerë që kanë spikatur në këto 21 javë të para.

Në mbrojtje janë përfshirë Robin Roefs (Sunderland), Jurrien Timber dhe Gabriel (Arsenal), Marc Guehi (Crystal Palace) dhe Marc Cucurella (Chelsea), të cilët kanë ndihmuar ekipet e tyre të ruajnë një mbrojtje të fortë dhe të shënojnë gola vendimtarë.

Mesfusha përfshin përveç Xhakës edhe Declan Rice (Arsenal) dhe Moises Caicedo (Chelsea), të cilët kanë spikatur me energjinë, kontrollin e topit dhe ndikimin e tyre në lojë.

Në sulm janë zgjedhur Morgan Rogers (Aston Villa), Erling Haaland dhe Phil Foden (Manchester City), yje që kanë shënuar gola vendimtarë dhe kanë treguar një nivel të lartë performancash.

Trajneri i përzgjedhur nga Shearer është Unai Emery i Aston Villa, i cili ka rikuperuar ekipin pas një fillimi të dobët dhe ka udhëhequr skuadrën drejt 11 fitoreve radhazi në të gjitha kompeticionet. /Telegrafi/

telegrafi sport app