Al-Hilal fiton trilerin e shtatë golave ndaj Man Cityt dhe avancon në çerekfinale
Manchester City ka pësuar humbje me rezultat 4-3 ndaj Al-Hilal, duke u eliminuar kështu nga Kupa e Botës për Klube. Kjo ndeshje ishte një triler i vërtetë dhe një tjetër befasi e këtij Botërori të Klubeve, pas triumfit të Fluminenses ndaj Interit. Të parët që kaluan në epërsi ishin Man City, të cilët realizuan për 1-0 në minutën e nëntë me Bernardo Silvan. Me të filluar pjesa e dytë, klubi arab reagoi shpejtë, duke arritur të shënojë dy gola për të përmbysur gjithçka.
Marcos Leonardo (46’) ishte autor i golit të barazimit për 1-1, teksa për epërsinë e Al-Hilal u përkujdes Malcolm (52’) që realizoi për 2-1 pas asistimit nga Joao Cancelo. Vetëm tre minuta më vonë, Erling Haaland (55’) ishte në vendin e duhur në kohën e duhur, për të barazuar shifrat në 2-2. 90 minuta nuk prodhuan fitues dhe ndeshja shkoi në vazhdime, aty ku u shënuan edhe tre gola të tjerë dhe në fund Al-Hilal doli fitues.






























