LAJMI I FUNDIT:

Akuzat mes ish-administratores dhe kryetarit të gjykatës së Gjilanit u bënë subjekt i hetimeve të Prokurorisë Specilale

Akuzat mes ish-administratores dhe kryetarit të gjykatës së Gjilanit u bënë subjekt i hetimeve të Prokurorisë Specilale

Institucioni në të cilin rëndom zgjidhen kontestet gjyqësore, në rastin e Gjykatës Themelore në Gjilan në fakt u bë shkak që të lindin vetë ato.

Mjaftuan shtatë vjet punësim nga viti 2016 deri më 2023 për ish-administratoren e kësaj gjykate, Florina Jerliu, që të krijoheshin një mori e problemeve.

Ato u bënë edhe subjekt i hetimit të Prokurorisë Speciale.

Dyshimet u ngritën fillimisht për mënyrën se si Jerliu, pretendohet se pa i plotësuar kriteret e nevojshme, ishte punësuar si administratore e Gjykatës Themelore në Gjilan, për çka kishte pasur ankesa për shkelje të konkursit nga kandidatët.

Si Jerliu pati konflikte me ish-kryetarin e Gjykatës, Ramiz Azizi, e i cili thotë se e toleroi atë për shkak të lidhjeve familjare.

E si më pas avazi i konflikteve nuk përfundoi me largimin e Azizit, por vazhdoi dhe kulmoi me kryetarin aktual të Gjykatës, Venhar Salihun.

Sipas Jerliut, problemet me Salihun kishin filluar kohë më parë, kur ajo ia kishte ndërruar zyrën, siç thotë ajo, “dashnores” së Salihut, të  cilin me pas e ka akuzuar edhe për ngacmim seksual, për keqtrajtim në vendin e punës, për ndikim dhe për frikësim edhe përmes shefit të AKI-së, Petrit Ajeti.

Jerliu e akuzon kryetarin Salihu për përfshirje në një rast të ndërhyrjes në sistemin elektronik të gjykatës SMIL. Akuzat nuk ndalen me kaq nga Florina Jerliu dhe bashkëshorti i saj, Avdyli, por për këto pretendime mungojnë provat e prekshme dhe dëshmitë, për të cilat pretendime ka zhvilluar hetim edhe Prokuroria Speciale, e cila ka hudhur poshtë të gjitha pretendimet në rrafshin penal.

Të gjitha këto pretendime, për Kryetarin Venhar Salihu, ish-Kryetarin Ramiz Azizi dhe zyrtarët e tjerë të apostrofuar të gjykatës, janë trillime e shpifje të Florina Jerliut, përmes të cilave, sipas tyre, ajo ka synuar të arsyetojë dështimet e saj në menaxhimin e administratës në gjykatë.

Për të gjitha këto pretendime, “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar tash e gjashtë muaj dhe në këtë emision paraqet gjetjet dhe pretendimet e të gjitha palëve të përfshira në këtë konfrontim të ish-administratores Jerliu me dy kryetarët e Gjykatës.

Më 14 prill 2016, Gjykata Themelore në Gjilan lëshoi njoftimin se në konkursin për administrator të kësaj Gjykate, fituese doli Florina Jerliu.

Gjykata e Gjilanit aso kohe drejtohej nga Kryetari Zyhdi Haziri.

Procesi që e solli Jerliun në pozitën e administratores së Gjykatës së Gjilanit u kontestua vazhdimisht. Herë në Gjykatë e herë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civil. Përfundimisht, pas shtatë vitesh, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civil më 18 prill 2023 morri vendim për të anuluar këtë proces. Rrjedhimisht, edhe akt emërimin e Jerliut.

Sipas këtij Këshilli, Jerliu nuk kishte përmbushur kriterin e përvojës. Në vendimin e Këshillit thuhet se: “Përvoja e saj e punës prej më shumë se tre vjeçare në cilësi të mësimdhënëses në gjuhën angleze, si dhe përvoja e punës mbi pesë vjeçare në cilësi të Zv. Drejtoreshës në Shkollën Fillore nuk mund të llogaritet si përvojë e punës profesionale, ngase e njëjta është juriste e diplomuar dhe se lënda në të cilën ka ligjëruar gjatë procesit mësimdhënës nuk hynë në fushën e përgjithshme të Fakultetit Juridik”.

Për vendimin e Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civil, Jerliu fajëson Kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu.

Sipas saj, Salihu ka ndikuar në vendimmarrjen e këshillit, duke hedhur akuza të rënda ndaj tij, pasi siç thotë ajo, Salihu ka tentuar ta nënshtrojë atë në të gjitha format, përfshirë edhe nënshtrimin seksual.

“Dezinformatat, që i kanë bo këta persona, kanë dezinformuar se unë gjoja jam larguar nga puna për shkak të abuzimit me detyrën zyrtare, abuzimit moral, korrupsionit, këtu jam njoftoj opinionin publik se as një nga këto shpifje nuk janë të vërteta. Arsyeja e largimit tim nga puna është për shkak të mosnënshtrimit seksual ndaj një psikopati me emrin Venhar Salihu, i cili fatkeqësisht është kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan dhe akoma me fatkeqësi, është sepse është i përzgjedhuri dhe i zgjedhuri në këtë pozitë nga Kryeshefi i AKI-së, Petrit Ajeti”, ka thënë Jerliu

Por, Salihu thotë se largimi i saj nga puna as proceduralisht nuk ka fare asnjë lidhje me të.

“Jo, kjo s’ka të bëjë me vërejtjet e mia, vërejtjet të cilat i kam shqiptu unë apo procedurat që i kam inicu unë, por ka të bëjë krejt me një çështje tjetër që qysh momentin kur ka ardhë këtu e ka kontestu një kundër kandidate pozicionin apo procedurën e rekrutimit për administrator të kësaj gjykate. Pasi, shkalla e parë ka aprovuar kërkesëpadinë e personit në fjalë, shkalla e dyta ka vërtetuar, Gjykata Supreme e ka hudhur mjetin e zakonshëm, Këshilli i Pavarur për Mbikëqyrës ka nxjerr një mendim ku edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës përkatësisht sekretariati ka zbatuar mendimet e lartcekur dhe të njëjtës iu ka ndërprerë marrëdhënia e punës”, ka thënë në anën tjetër Salihu.

Akuza e Jerliut për largim të padrejtë nga puna nga Salihu nuk është e vetmja.

Ajo ka deponuar një kallëzim penal në Prokurori, ku e akuzon Salihun për shumë vepra penale e ngjarje.

Gjatë hulumtimit për këtë rast të kallëzimit penal kemi pasur lloj-lloj informacionesh nga shumë burime për këto ngjarje të pretenduara nga Florina Jerliu. Për disa pretendime të saj, Jerliu ka deponuar në prokurori, disa audio-incizime, të cilat i kishte bërë fshehurazi gjatë takimeve me Kryetarin Salihu.

Në shumicën e këtyre takimeve, që disa prej tyre zgjasin më orë, ka ballafaqime edhe me tone të ngritura, në të cilat Salihu i kërkon llogari për punë Jerliut. Në disa raste, pretendimet që dalin nga përmbajtja e këtyre audio-incizimeve, janë shumë të interpretueshme, pasi nuk përcillen me prova dhe dëshmi përcjellëse, ndërsa konsiderohen si fabrikuara nga Venhar Salihu. Sidoqoftë, ne kemi kaluar në të gjitha pretendimet një nga një, ku në shumë prej tyre, mungojnë dëshmitë dhe të provuarit.

 Ne do ti sjellim pretendimet në kronologji, do të ju informojmë se çfarë kemi gjetur ne dhe do të shihni ballafaqimin e të gjitha palëve të apostrofuara. Vlen të theksohet, se për të gjitha këto pretendime, “Betimi për Drejtësi”, ka intervistuar dy herë qiftin Jerliu, Florinën dhe Avdylin, ndërsa pas sigurimit të provave dhe kundërdëshmive të palëve, për të cilët ata kanë ngritur pretendime, ne i kemi ftuar sërish që të intervistohen dhe të ballafaqohen me gjetjet tona, por ata nuk kanë pranuar, me arsyetimin, se nëse s’kanë incizime që dëshmojnë të kundërtën e pretendimeve të tyre, të gjitha provat e dëshmitë tjera dokumentuese, janë të fabrikuara nga Venhar Salihu dhe njerëzit e tij.

Për këtë arsye, ne në disa raste, kemi mbetur pa i ballafaquar ata me prova dhe dëshmi, për shkak të refuzimit të tyre. Sidoqoftë, ju mbetet Juve shikues të nderuar të vlerësoni këto ngjarje, të cilat po ju paraqesim veç e veç. /Betimi për Drejtësi/