Site icon Telegrafi

Aktgjykimet në Procedurën Civile

Ardita Morina, Avokate

Ardita Morina
Avokate

 

Ligji për Procedurën Kontestimore ka paraparë disa lloje të Aktgjykimeve të cilat mund të nxjerrën nga Gjykata.

Arsyetimi i vendimeve gjyqësore trajtohet në kuadër të jurispudencës kushtetuese, ku konsiderohet se e drejta për të pasur një vendim gjyqësor të arsyetuar është pjesë përbërëse dhe e pandarë e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të nenit të Kushtetutës dhe KEDNJ-së.

Njëherazi edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka potencuar se arsyetimi i Aktgjykimit është një përbërës kyç i gjykimit të drejtë dhe është treguesi më mirë që dëshmon se gjykatat i kanë të bazuara thëniet në vendimet e tyre.

Ky ligj rregullon rregullat e procedurës për ofrimin e mbrojtjes juridike gjyqësore, të cilat përdoren dhe vendosen në padi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lindin nga cenimi i të drejtave personale dhe mosmarrëveshjet nga familja, puna, ekonomia, prona dhe marrëdhëniet tjera juridike civile, me përjashtim të mosmarrëveshjeve për të cilat me ligj të veçantë parashikohet tjetër procedurë.

Me Aktgjykim Gjykata vendos mbi kërkesën që ka të bëjë me çështjen kryesore dhe kërkesat aksesore. Nëse në një padi janë përfshirë disa kërkesëpadi Gjykata vendos për të gjitha me një aktgjykim të vetëm.

Gjykata mundet të urdhërojë palën e paditur që të përmbush premtimin e caktuar vetëm po që se në kërkesa të paditësit është bërë e realizueshme para se të përfundojë shqyrtimi kryesor i çështjes. Po qe se Gjykata e aprovon kërkesëpadinë për ushqim ligjor, kompensim të dëmit në formë të rentës, për shkak të fitimit të humbur, apo të ardhurave tjera nga puna, i padituri mund të detyrohet edhe për premtimet që ende nuk janë bërë të realizueshme. Kur pala me aktgjykim detyrohet që të përmbush ndonjë premtim do të caktohet edhe afati brenda të cilit duhet të përmbushet ai. Po qe se me dispozita të posaçme nuk është përcaktuar ndryshe, afati për përmbushjen e premtimit është 15 ditë, por për detyrimet që nuk përbëhen në të holla, gjykata mund të caktojë afat më të gjatë, në kontestet nga marrëdhëniet në të cilat është dhënë kambiali apo ceku afati për përmbushjen e detyrimit është 7 ditor.

Aktgjykimi i pjesshëm – Nëse prej disa kërkesëpadive për shkak të pohimit ose në bazë të shqyrtimit të mjaftueshëm, njëra ose disa sosh janë pjekur me vendim definitive dhe meritor apo në qoftë se vetëm pjesa e një kërkese është pjekur për vendim meritor. Aktgjykimin e pjesshëm gjykata mund të jep edhe kur është ngritur kundërpadia nga pala e paditur, po që se për vendim është përgatitur vetëm kërkesa e padisë apo vetëm kërkesa e kundërpadisë.

Aktgjykimi në bazë të pohimit – Në qoftë se i padituri në përfundimin e shqyrtimit kryesor të çështjes e pohon kërkesëpadinë pjesërisht apo tërësisht, gjykata e jep pa shqyrtim të mëtejmë aktgjykimin me të cilën e aprovon pjesën apo gjithë kërkesëpadinë.

Deklaratën mbi pohimin e kërkesëpadisë i padituri mund ta revokojë verbalisht në seancën përgatitore, apo me anë të parashtresës jashtë seancës gjyqësore edhe pa pëlqimin e paditësit deri në momentin e dhënies së aktgjykimit.

Aktgjykimi në bazë të heqjes dorë nga kërkesëpadia – Në qoftë se paditësi, deri në përfundimin e seancës për shqyrtim kryesor të çështjes, heqë dorë nga një pjesë e kërkesëpadisë apo nga gjithë kërkesëpadia, gjykata pa shqyrtim të mëtejshëm e jep aktgjykimin me të cilën e refuzon kërkesëpadinë në pjesën nga e cila paditësi ka hequr dorë apo në tërësi. Për heqje dorë nga kërkesëpadia nuk nevojitet pëlqimi i palës tjetër.

Lexo po ashtu Kompensimi i dëmit nga autopërgjegjësia

Aktgjykimi për shkak të mos bindjes – Në qoftë se i padituri, brenda afatit të përcaktuar nuk e paraqet në gjykatë përgjigjën në padi, gjykata jep aktgjykimin më të cilën e aprovon kërkesëpadinë po që se janë plotësuar kushtet: po që se të paditurit i është dorëzuar rregullisht padia dhe thirrja për dhënien e përgjigjes në padi; po që se themelësia e kërkesëpadisë del nga faktet e treguara në padi; po qe se faktet mbi të cilat mbështetet kërkesëpadia nuk janë në kundërshtim me provat që i ka propozuar vet paditësi.

Në qoftë se faktet e treguara në padi nuk del themelësia e kërkesëpadisë, gjykata cakton seancë përgatitore dhe po që se në seancën e këtillë, paditësi nuk e ndryshon padinë, jep aktgjykimin me të cilën e refuzon kërkesëpadinë.

Aktgjykimi për shkak të mungesës – Kur të paditurit padia nuk I është dërguar për përgjigje, por vetëm bashkë me letërthirrje për në seancën e parë për shqyrtim kryesor, nëse seanca përgatitore nuk është caktuar fare, gjykata me propozimin e paditësit apo sipas detyrës zyrtare e jep aktgjykimin me të cilën aprovohet kërkesëpadia po që se plotësohen kushtet : nëse paditësi është thirrur rregullisht për seancë; nëse i padituri nuk e ka kontestuar kërkesëpadinë me anë të parashtresës; nëse themelësia e kërkesëpadisë del nga faktet e treguara në padi; nëse faktet më të cilat bazohet kërkesëpadia nuk janë në kundërshtim me provat e paraqitura nga vet paditësi apo në faktet e ditura.

Lexo po ashtu Përgjegjësitë e punëdhënësit ndaj punëmarrësit

Aktgjykimi pa shqyrtim kryesor të çështjes – Po qe se i padituri me anë të përgjigjes në padi i ka pohuar faktet vendimtare, përkundrejt kontestimit të kërkesëpadisë, gjykata mundet pa e caktuar seancë gjyqësore të jep aktgjykim nëse nuk ekzistojnë pengesa të tjera për dhënien e tij.

Gjykata jep Aktgjykimin më së voni brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e përfundimit të shqyrtimit kryesor, ku hartohet me shkrim. Aktgjykimi i përpiluar me shkrim duhet të ketë: pjesën hyrëse, dispozitivin, arsyetimin dhe udhëzimin mbi të drejtën e ankimit kundër aktgjykimit.

Aktgjykimi i cili nuk mund të goditet me anë të ankesës bëhet i formës së prerë për aq sa është vendosur me të mbi kërkesëpadinë apo të kundërpadisë. /Telegrafi/

Exit mobile version