Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet E.I., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 27 nëntor 2024, rreth orës 19:15, në fshatin Brestovik të Pejës. I pandehuri dyshohet se ka hyrë me forcë në shtëpinë e viktimës dhe më pas, pa dëshirën e saj, ka kryer akt seksual, duke përdorur forcën fizike.


Prokuroria konsideron se veprimet e të pandehurit përmbushin elementet e veprës penale të dhunimit dhe se ekziston dyshim i bazuar mirë për fajësinë e tij.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit në fuqi për veprën penale që i vihet në barrë./Telegrafi/