Aksion në Pejë – kapen në flagrancë katër persona
Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar arrestimin e katër personave në flagrancë, në një aksion të zhvilluar sot në dalje të qytetit të Pejës.
Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, i cili tha se operacioni u zhvillua në koordinim të plotë mes Prokurorit të Shtetit, Drejtorisë së Hetimeve Rajonale në Pejë dhe Njësisë për Krimin e Organizuar në Prishtinë.
“Mund ta konfirmojmë që sot Prokurori i Shtetit, në koordinim të plotë me Drejtorinë e Hetimeve Rajonale të Pejës dhe Krimin e Organizuar në Prishtinë, pas zbatimit të masave të veçanta, kanë arritur t’i kapin në flagrancë katër persona,” tha Nikçi.
Sipas tij, tre nga të arrestuarit po hetohen për veprën penale “detyrim”, ndërsa një person për “armëmbajtje pa leje”.
“Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe brenda afatit kohor do të ndalohen me urdhër të prokurorit për t’u proceduar më tutje me veprimet ligjore,” sqaroi ai. /Telegrafi/






























