Një ditë para betimit si kryetar i Prishtinës Shpend Ahmeti u takua edhe me përfaqësuesit e PDK-së në komunën e Prishtinës. Bashkëpunimi dhe komunikimi i sinqertë në mes partive politike do të jenë pjesë e punës gjatë mandatit qeverisës të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, tha kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, pas takimit me kryetarin e degës së PDK-së në Prishtinë Lirak Çelaj, raporton RTK.

“Presim diskutime politike programatike, kur ka kundërshtime, besoj se do të ketë edhe mospajtime por natyra e demokracisë është e tillë që të gjitha idetë më mirë të shoshiten në debate publike, në mënyrë që të punojmë për të mirën e Komunës së Prishtinës. Unë i mora edhe sugjerimet e PDK-së për mënyrën se si ka funksionuar në të kaluarën Kuvendi i Prishtinës dhe si i shohin edhe z. Çelaj edhe të tjerët mënyrën në të ardhmen. Do t’i kemi parasysh ato sugjerime'', tha Ahmeti.


Edhe Lirak Çelaj kryetar i Degës së PDK në Prishtinë theksoi do të bëjnë përpjekje që të kenë rol konstruktiv në komunën e Prishtinës.

''Ne i paraqitën edhe qëndrimet tona se si e shohim qeverisjen e Prishtinës gjithnjë në të mirë të qytetarit. Biseduam për rolin tonë konstruktiv që do ta kemi në qeverisjen e Prishtinës me atë forcë që e kemi dhe do të përpiqemi që të mbrojmë programet dhe projektet që i ka paraqitur PDK për aq sa kemi pushtet. U zotuam që do të kemi edhe takime tjera dhe synimi ynë i përgjithshëm është që të ndërtojmë një Prishtinë më të mirë'', tha Çelaj.

Përderisa Ahmeti ka realizuar takime pothuajse me të gjitha subjektet politike në Kuvendin e Prishtinës, ende nuk ka marrë përgjigje për një takim të tillë edhe me përfaqësuesit e LDK-së, si subjekti më i madh opozitar në Komunën e Prishtinës. /Telegrafi/