Ahmeti: Një ministër ka bërë kontratë me ndërmarrjen banesore në moshën 14 vjeçare (Video)

Ahmeti tha se ndërmarrja më problematike është Ndërmarrja Publike Banesore, apo ish-BVI, siç është quajtur më parë. Në këtë ndërmarrje, Ahmeti tha se mbretëron një gjendje katastrofale.
“Kjo ndërmarrje ka mbi 400 lokale publike. Mbi 100 prej tyre janë me qira mbi qira, që është e ndaluar me ligj. Kemi mbi 231 banesa kolektive që janë të uzurpuara dhe kemi bërë kallëzime penale për t’i liruar. Në këto lokale e dhe banesa publike ka edhe ministra, deputetë të partive politike që i kanë në posedim dhe po ashtu edhe i kanë blerë me një rregullore të ish-Jugosllavisë që nuk e di si e kanë bërë këtë”, ka thënë kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, raporton Koha.net.
Kryetari i Komunës, duke folur ende për çështjen e Ndërmarrjes Publike Banesore, ka thënë se është një ministër i cili në moshën 14 vjeçare ka nënshkruar kontratë me këtë ndërmarrje, ndërsa ka theksuar se nuk e di se si e ka bërë këtë vepër në këtë moshë.
“Në këtë ndërmarrje punojnë krejt familjarë mes vete”, ka shtuar ai.
Sa i përket pronave të Komunës së Prishtinës, që gjenden në të dy anët e rrugës Prishtinë – Fushë Kosovë, deri në kufi me Komunën e Fushë Kosovës, Ahmeti ka thënë se janë prona komunale dhe nuk kanë kontrata valide pasi të njëjtave ju ka skaduar afati “dhe shpejt do t’i qesim në tender për qira dhe do t’i heqim të gjithë ata që nuk i plotësojnë kushtet”.
“Komuna e Prishtinës i ka mbi 300 padi. Shumica janë për prona, por ka edhe për kthim në punë. Vlera e tyre arrin deri në 8 milionë”, u shpreh Ahmeti.
Sa i përket ndërmarrjes publike “Trafiku Urban”, kreu i Komunës tha se është në gjendje të rëndë. Tha se kjo ndërmarrje i ka rreth 1.5 milion euro borxh administratës tatimore.
Ndërkaq, edhe ndërmarrja “Pastrimi” është në po të njëjtën gjendje pasi, sipas Ahmetit, edhe kjo ndërmarrje i ka 1.5 milion euro borxh.
“Ndërmarrja publike “Termokos” në vit i merr 3 milionë euro subvencione. Ka banesa të reja, të cilave kjo ndërmarrje ua ka vendosur nxemjen vetëm për t’ua rritur çmimin për më shumë se 150 euro në metër katror”, ka thënë Ahmeti.
Për të gjitha keqpërdorime të publikuara, Ahmeti i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit të fillojë hetime në ndërmarrjen publike banesore.
“I jam mirënjohës Prokurores Drita Hajdari dhe kam gabuar me kritikat ndaj punës së saj. I jam mirënjohës për luftën kundër së keqes”, tha kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

















































