Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, e ka quajtur lajm të mirë ardhjen e vaksinave anti-Covid.

Por ka thënë se ceremoninë e pritjes së vaksinave nuk e ka kuptuar.

“Tepër lajm i mirë arritja e 24 mijë vaksinave apo dozave të Astra Zeneca."


"Kjo vaksinë është klasike dhe afati në mes të dy dozave është 3 muaj. Së paku punëtorët shëndetësor ti mbrojmë. Por nuk e kuptova “ceremoninë” e pranimit të vaksinave”, shkroi Ahmeti.

Kritikë për ceremoninë e vaksinës ka hedhur edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka vlerësuar se gjendja me COVID-19 në Kosovë është e rëndë.

Ndërsa për ceremoninë ka thënë se ishte banale dhe e panevojshme.

"Mu duk shumë banale “ceremonia” e organizuar me pompozitet aq të madh në Aeroportin e Prishtinës për pranimin e një donacioni të rëndomtë të Aleancës Covax", tha Pacolli./Telegrafi.