LAJMI I FUNDIT:

AGK-ja dënon targetimin e Radio Grazhdecit

AGK-ja dënon targetimin e Radio Grazhdecit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka bërë të ditur se ka pranuar me shqetësim fushatën denigruese të drejtuar kundër radios në gjuhën serbe Radio Gorazhdeci (Goraždevac), me seli në komunën e Pejës.

Përmes një njoftimi nga AGK thanë se sipas raportimeve, një portal me emrin SrpskiGlas.rs ka publikuar një artikull në të cilin bëhet thirrje për bojkotimin e këtij mediumi, me arsyetimin se “janë në shërbim të Kosovës së pavarur”.

Kryeredaktori i Radio Gorazhdeci, Darko Dimitrijeviq (Darko Dimitrijević), ka deklaruar se mediumi që ai udhëheq gjithmonë ka vepruar në mënyrë profesionale, objektive dhe në përputhje me ligjet dhe Kodin e Etikës së Gazetarisë.


“Ky sulm ndaj punës sonë nuk është vetëm përpjekje për shpifje, por edhe një kërcënim serioz për sigurinë, pasi një targetim i tillë mund të paraqesë rrezik real për të gjithë ata që punojnë në Radio Gorazhdeci, sidomos gjatë udhëtimeve drejt Beogradit apo qyteteve të tjera”, ka deklaruar Dimitrijeviq.

AGK-ja e dënon fuqishëm këtë lloj targetimi dhe kërcënimet pasuese që rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve të këtij mediumi. Gazetarët duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa pengesa dhe pa u frikësuar. /Telegrafi/