LAJMI I FUNDIT:

Agim Nuhiu: Gjykimet online mund të mbahen nëse ka kushte

Agim Nuhiu: Gjykimet online mund të mbahen nëse ka kushte

Zëvendësministri Drejtësisë Agim Nuhiu ,mbështet zhvillimin e seancave gjyqësore online në kohë të pandemisë COVID 19, me qëllim që qytetarët të kenë qasje të lirë deri tek drejtësia.

Ai thekson se për organizimin e seancave gjyqësore online në procedura civile dhe administrative nuk ka ndonjë rezervë, por që rezerva ka sa i përket zhvillimit të seancave gjyqësore penale.

Nuhiu nuk është i sigurt nëse mbajtja e seancave online në proceset penale do të sjellë marrëdhënien dhe afirmitetin e nevojshëm midis avokatit dhe klientit të tij, për të përpiluar mbrojtjen. Ai shton se kjo vë në pikëpyetje parimin e barazisë mes palëve për të cilat thekson se pozita e prokurorit më shumë respektohet nga ana e gjyqtarit.


E rëndësishme në seancë gjyqësore penale është edhe gjuha e trupit por dhe angazhimi i përkthyesit dhe interpretuesit gjyqësorë. Nëse seancat e tilla do të zhvillohen me prani fizike apo online, Nuhiu tha se presin qëndrimet e ekspertëve të cilët do të shqyrtojnë gjendjen faktike. Ajo që mund të pengojë fillimin e gjykimeve online në tërë vendin janë mungesa e kushteve teknike.

“Ne kemi zhvilluar edhe konsultime me anëtarët e Këshillit gjyqësor republikan dhe kushtet në shumë gjykata të vendit janë minimale që të mund të kemi një infrastrukturë teknologjike të një sigurie të kënaqshme që të mund edhe të zhvillohen në mënyrë të shpejtë dhe efikase edhe seancat gjyqësore online. Ne mendojmë të presim raportin e grupeve të punës dhe në mënyrë sukcesive mund edhe të fillohet shpejtë ,nëpër gjykatat ku paraprakisht do të sigurojnë kushte për implementimin e teknologjisë adekuate për seanca online”, u shpreh zv.ministri i drejtësisë Agim Nuhiu.

Nënkryetari i Këshillit gjyqësorë, Milazim Mustafa thekson se nga përgjigjet e mara nga kryetarët e disa gjykatave në vend theksohet se ato nuk i posedojnë kushtet e mjaftueshme për zhvillimin e seancave gjyqësore online . E rëndësishme është që aty ku ka mundësi ligjore dhe teknike të zhvillohet gjykimi online me qëllim që mos të ngecin procedurat.

Në bazë të kushteve aktuale ,për procedura të caktuara ,që nuk janë të komplikuara, Mustafa thotë se mund të realizohen pa ndonjë problematikë.

“Këshilli Gjyqësor u është drejtuar të gjitha gjykatave në vend dhe prej disa prej tyre kemi marr përgjigje, fatkeqësisht shumica e përgjigjeve janë jo të kënaqshme që gjykatat tona të përgatitura për zhvillimin e seancave online edhe pse disa prej tyre kanë kushte të mjaftueshme dhe ndoshta me një mobilizim pak më të vogël të kuadrove dhe pajisjeve teknologjike ,besoj se mund të realizohen procedura të tilla. Përgjigjet që më së shpeshti na vinë janë mungesa e pajisjeve teknike kryesisht teknologji e vjetëruar por nga ana tjetër edhe kuadrot nuk janë mjaft të trajnuara”, theksoi zv.kryetari i këshillit gjyqësor Milazim Mustafa.

Sipas Mustafës ka informacione se me buxhetin e vitit 2021 janë paraparë mjete të mjaftueshme për përmirësimin e teknologjisë informative nëpër gjykata me qëllim të përgatitjes së tyre teknologjike për mbajtjen e seancave online. Si pasojë e pandemisë COVID 19 ,në Gjykatën Penalë në Shkup ,janë anuluar disa nga gjykimet me interes për publikun./TVM2/