Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, me çdo mënyrë po përpiqet të tregojë se nuk është shumë i shqetësuar për kërcënimet që vijnë nga SHBA-ja, dhe mënyra më e shpeshtë që zgjedh për ta bërë këtë është kënga.

Në një nga tubimet që ai mbajti më 10 dhjetor, presidenti venezuelas deklaroi se vendi i tij dhe qytetarët e Venezuelës nuk duan luftë me Amerikën.


“Qytetarëve amerikanë që janë kundër luftës, u përgjigjem me një këngë shumë të njohur amerikane, ‘Don't worry, be happy’”, tha lideri venezuelas, pas së cilës filloi edhe vetë të këndonte.

Më pas, ai shtoi edhe disa parulla të tjera që janë dëgjuar edhe ditëve të mëparshme. “Jo luftë, jini të lumtur. Jo, jo luftë të çmendur, jini të lumtur”, porositi ai.

Ky gjest vjen në një moment përkeqësimi të marrëdhënieve midis Karakasit dhe Uashingtonit për shkak të rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Karaibe.

Performanca muzikore e Maduros u mbajt në të njëjtën ditë kur liderja e opozitës, Maria Corina Machado, mori Çmimin Nobel për Paqe në Oslo, në praninë e mbretit Harald, pavarësisht ndalimit dhjetëvjeçar të udhëtimit të vendosur nga autoritetet venezuelase dhe pasi kishte kaluar më shumë se një vit në fshehje.

Ajo u largua fshehurazi nga Venezuela për të tentuar të arrinte në kryeqytetin norvegjez, por nuk arriti të mbërrinte në kohë për ceremoninë. /Telegrafi/