Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas dështimit të seancës konstituive për të dytën herë tha se tashmë qytetarët e Kosovës e kanë shumë të qartë se kush janë bllokuesit e seancës konstituive.

Ai tha se kryesuesi e ndërpreu seancën ndonëse kishte kuorum dhe kushte për të votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatit të deputetëve.


“Kryesuesi i seancës konstituive e që rastësisë të jetë më i vjetri në moshë dhe rastësisë të jetë nga partia e parë, pa të drejtë e kundër praktikës kushtetuese ndërpreu seancën e sotme ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm dhe kushte për votim të raportit të Komisionit verifikues”, tha ai, raporton Telegrafi.

Sipas tij, është për keqardhje kjo praktikë e re bllokuese e kushtetutshmërisë dhe institucionit më të lartë. “Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e pazakontë dhe sjellje e prapët politike”, tha ai. /Telegrafi/