Abdixhiku e Haradinaj presin në takim Von Cramonin, flasin për zgjedhjet lokale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryetari i Alëncës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë pritur sot në takim delegacionin e Parlamentit Evropain të udhëhequr nga Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon.
Këto takime u mbajtën një ditë para ditës së zgjedhjeve lokale, ku delegacioni nga PE-ja, do të jenë pjesë e Misionit Vëzhgues të BE-së në këto zgjedhje.
“Eurodeputetët shfaqën interesimin e tyre për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet dhe uruan për mbarëvajtjen e tyre. Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për prezencën e misionit vëzhgues në monitorim të zgjedhjeve duke theksuar nevojën për një proces fer e demokratik”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
“Bashkëbiseduam me eurodeputetët për procesin zgjedhor, pjekurinë politike e demokratike të Kosovës në këto zgjedhje, e po ashtu edhe për sfidat e organizimit të fushatës në gjendje pandemike. Falënderova Misionin Vëzhgues të BE-së, për punën e tyre të vazhdueshme në monitorimin e zgjedhjeve dhe mbështetjen e tyre për demokraci sa më të konsoliduar në vendin tonë”, shkruan Haradinaj. /Telegrafi/





















































