Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se punësimi i familjarëve nga koalicioni qeverisës në Telekomin e Kosovës, tregon se janë të pangopur dhe se pasurinë e Kosovës e Shohin si plaçkë.
“7 deputetë të pushtetit i kanë punësuar familjarët e tyre në Telekom. Thonë se janë më të zotit, s’ka si ta në Kosovë. Njëri madje tha se po i bënte nder Kosovës. Në Parlament, të njëjtit ndërsa, na mbajnë ligjërime moralizuese e vajtuese mbi devalvimin e PTK-së. Pyesin pse po falimenton? – 234 familjarë e militantë partiak janë punësuar në Telekomin e Kosovës vetëm gjatë kësaj qeverisje. Proporcionalisht kanë punësuar më shumë se Telekomi Gjerman. Është hera e dytë që ia kalojmë Gjermanisë. E para kishte të bënte me numrin e ministrive në Qeveri”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij, në rrjetin social në Facebook.
Sipas tij, qeveritarët e shohin pasurinë e Kosovës si plaçkë.
“Si pronë të tyre, si shpërblim. Për vetëm 1 vit e gjysmë qeverisje, kanë kapur me pangopësi secilën mundësi. Nga gjysmë milion eurot e pavarësisë, tek 53 milionë eurot e Bechtelit. Nga rritja e pagave për vete tek vërshimet punësuese nëpër asete”, tha Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku. /Telegrafi/