Aaron Taylor-Johnson favoriti kryesor për James Bondin e ri

Aktori britanik, Aaron Taylor-Johnson, është vënë në qendër të vëmendjes si një nga kandidatët kryesorë për të pasuar Daniel Craig në rolin ikonik të James Bond.
Konkretisht, megjithëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht se kush do të marrë përsipër rolin legjendar të agjentit sekret 007, komentet në rrjetet sociale tregojnë qartë se Aaron ka shumë mbështetje nga publiku.
Spekulimet kanë qarkulluar prej muajsh dhe këto thashetheme mbështeten nga fakti që Taylor-Johnson nënshkroi së fundmi një kontratë me markën luksoze ‘Omega’, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në serialin Bond si furnizuesi zyrtar i orëve për vite me radhë. Ky veprim nxiti dyshimet se ai ishte zgjedhja e re e producentëve.

Nëse e merr këtë rol prestigjioz, Aaron mund të presë një përfitim të konsiderueshëm financiar. Paraardhësi i tij, Daniel Craig, i cili e mori rolin në vitin 2005 dhe u shfaq në gjashtë filma, thuhet se fitoi deri në 100 milionë dollarë.
Megjithatë, edhe pa atë punë, Taylor-Johnson e ka provuar veten në industrinë e filmit. Përvoja e tij e pasur në aktrim përfshin role në filma të tillë si "Kick-Ass", "Nowhere Boy" dhe "Marvel's Avengers: Age of Ultron", ku ai portretizoi personazhin e Pietro Maximoff.

Edhe pse po konkurron me emra si Theo James dhe Henry Cavill, Aaron ka një shans serioz për t'u bërë fytyra e re e spiunit britanik me punën e tij deri më sot, karizmën dhe praninë në media.
Kur u pyet për mundësinë e të qenit Bond, aktori tha shkurt: "Nuk më takon mua të them asgjë". /Telegrafi/



























































