LAJMI I FUNDIT:

A po kthehet Turqia në Ballkan?

Përpjekja për t’i dhënë përgjigje pyetjes se a po kthehet Turqia në Ballkan jo që nuk është e lehtë, por ajo për më shumë shtron edhe shumë pyetje të tjera të cilat së bashku e ngrenë një çështje sa komplekse aq edhe të re, jo vetëm për ne dhe Ballkanin, por edhe më gjerë. Janë tre çështje të një dimensioni që duhet parë në raport me këtë kthim jo vetëm gjeopolitik. A do të faktorizohen shqiptarët në Ballkan me një rikthim të tillë të Turqisë, a do të ketë ndryshime në raport me islamin dhe fetë me politikën në rajon dhe shumë e rëndësishmja, cili do të jetë fati ynë dhe i ballkanasve tjerë drejt BE-së?

E madhe për nga hapësira dhe popullsia, e pasur me pasuri nëntokësore e mbitokësore, e vendosur në një pozitë tejet të rëndësishme gjeostrategjike, me dalje në disa detra dhe me trashëgimi tejet të pasur dhe për shumëçka unike, Turqia gjithmonë ka pasur premisa të mira të mos jetë vetëm një shtet i zakonshëm. Sot mund të thuhet se ai më së paku është i tillë. Ajo në çka pajtohen shumë analistë është se në Turqi tash sa kohë, e sidomos pas përfundimit të Luftës së Ftoftë, me një doktrinë të re jo vetëm në politikën e jashtme, rirreshtimet janë përpjekje të një shteti që do dhe mund të luajë rol më të madh në arenën ndërkombëtare dhe të krijojë zonën e saj të interesit, e cila do të përfshinte Azinë qendrore, Kaukazin dhe gjithsesi Ballkanin. Disa këtë e quajnë neo-osmanizëm, të cilin emërtim turqit nuk e preferojnë për shkak të konotacionit të mundshëm imperialist të saj. Unë këtë rirreshtim turk sot do ta përkufizoja si doktrinë gjeopolitike të dizajnuar për t’i shtrirë interesat nga më të ndryshmet të shtetit turk përtej kufijve të saj, sidomos atje ku mund të ndihmojnë lidhjet dhe trashëgimitë osmane.


Përkundër kësaj, Turqia vazhdon përpjekjet e saj serioze të anëtarësohet në BE. Për shkak të konflikteve të saj shekullore me jo pak prej evropianëve, për shkak të dallimeve të mëdha kulturore, për shkak të fesë islame, shumë prej evropianëve, edhe pse një pjesë e cepit të saj gjendet në Evropë, e perceptojnë Turqinë si vend jo evropian dhe nuk e duan në radhët e tyre në BE. Por, sa për shkak të interesave gjeostrategjike aq edhe atyre financiare dhe të tjera, ka edhe vende të cilat e duan edhe e ndihmojnë në këtë synim, ndër to në Evropë prin Britania, ndërsa jashtë saj, SHBA-tё. Ka indice për të konstatuar se, sa më i madh është refuzimi i evropianëve për Turqinë në BE, aq më shumë rritet bindja te turqit se duhet investuar më shumë në doktrinën e re turke, që duket se tashmë po ridizajnohet në Ankara si neo-osmanizëm. Por ka fakte që dëshmojnë se neo-osmanizmi nuk është qëllimi i vetëm. Turqia mundohet të nxjerrë përfitime të shumanshme me balancat e reja politike, ku jo rrallëherë nuk mungon bashkëpunimi shumë i ngushtë, ta zëmë me Federatën Ruse, ku nganjëherë ka hezitime apo ndonjë mospajtim me SHBA-tё, ta zëmë rreth Izraelit apo shfrytëzimit të bazave turke, apo ka raporte të një kualiteti të ri dhe me ndikim të shtuar me shtetet arabe.

Por t’i kthehemi çështjes së Ballkanit. Nuk ka ende fakte, por tek-tuk ndonjë indice që mund të na jep të drejtë të konstatojmë se rikthimi i Turqisë në Ballkan nuk bëhet me sllallom të vetmuar politik, por më shumë kjo pretendohet të bëhet në kuadër të asaj që quhen tashmë interesa euroatlantike apo konkretisht me “izën” e SHBA-ve. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se ky kthim është thjesht ekonomik e biznesor, pa pretendime të tjera. Por ka edhe nga ata që kthimi i Turqisë në Ballkan, qoftë vetëm ekonomik, u është bërë paranojë politike dhe kulturore. Ditë më parë u tha, por asgjë zyrtare nuk u konfirmua, se kampi i njohur ushtarak në Kosovë Bondstil do t’i kalojë në menaxhim shtetit turk. Serbët u shastisën vetëm nga ideja. Mbase mund të jetë kështu sidomos kur dihet se SHBA-tё janë shumë të zëna dhe shpenzojnë shumë mund e para në zona të tjera shumë më të mëdha e më konfliktuoze. Prandaj, Turqia mbetet më e përshtatshmja që mbi bazën e parimeve dhe interesave të njëjta, ta vazhdojë aty ku e kanë lënë amerikanët apo thënë më saktë ta shtyjnë tutje atje ku duan amerikanët.

A do të thotë kjo se kështu Turqia do të hyjë në atë Evropë ku nuk ka hyrë Evropa, konkretisht BE-ja, për ta përmbushur këtë boshllëk jo vetëm gjeostrategjik? Në Ballkanin Perëndimor ka ende probleme të hapura që duan zgjidhje dhe aty ku ka të tilla probleme lëvizjet e tilla të lojtarëve të mëdhenj mund të ndodhin. Përndryshe ky rikthim i Turqisë zor se mund të bëhet pa bashkëpunimin me SHBA-tё dhe nën ombrellën atlantike. Në anën tjetër turqit në Ballkan mund të kenë përkrahje nga disa vende të këtij rajoni për këtë projekt, por mund të kenë edhe kundërshtime të ashpra nga disa të tjera, po të Ballkanit, të cilat kthimin e tyre mund ta përjetojnë si degradim. Qoftë në variantin e parë qoftë në të dytin këtë rikthim të Turqisë nuk do ta pëlqejë Federata Ruse e cila me çdo gjë që bën në Ballkan, e sidomos me përkrahjen e Serbisë, lë për të kuptuar se ajo ende nuk heq dorë që Ballkanin ta ketë në një mënyrë zonë të interesit ku, nëse jo plotësisht, atëherë mund të shtrihet në segmente të caktuara. Rivaliteti i Turqisë në këtë rajon asaj vetëm se mund t’i prishë punë. Duke e pasur parasysh synimin e proklamuar të Brukselit në Ballkan zor se edhe atje mund të mendojnë ndryshe.

Cilat mund të jenë efektet e kësaj politike të Turqisë në Ballkan konkretisht në Kosovë dhe tek të gjithë shqiptarët? Mund të thuhet se ndaj rikthimit të turqve nuk ka antipati te shqiptarët, përkundrazi. Raportet tradicionalisht të mira të Turqisë me Shqipërinë dhe njohja si dhe ndihma në pavarësimin e shtetit të Kosovës, vetëm se e kanë shtyrë përpara ndjenjën e hershme që e ka bazën edhe te ngjashmëritë e ndryshme kulturore, fetare dhe lidhjet e ndryshme farefisnore. Por nuk është gjithnjë dhe gjithmonë kështu, ka edhe të atillë të cilët për këtë rikthim të mundshëm flasin si për një mundësi të re degradimi dhe dezintegrimi kombëtar e kulturor të shqiptarëve.