LAJMI I FUNDIT:

A na keni çliruar, a jo?

Uji ishte i shpejtë dhe i ftohtë, por ai tjetër zgjidhje nuk kishte. Papritmas dhe si i porositur, u paraqit një kalorës dhe pa asnjë përtesë e mori lart afër vetes. Kaloj lumin si është më së miri, por ende pa kërcyer në tokë, dëgjoj kalorësin t’i thoshte “të shpëtova”. E shikoi me mirënjohje të thellë dhe e falënderoi. Pastaj vazhduan të ecin afër bregut të lumit, ai në këmbë dhe tjetri mbi kalë. Pas pak, kalorësi prapë ia kujtoi se “e shpëtoi” pa u lagur, kur po kalonte lumin. Ky prapë e falënderoi. Eci më tej dhe kur dëgjoi edhe një “të shpëtova”, belbëzoi një falënderim të plogësht. Kur kishin bërë edhe një copë udhë dhe kalorësi, për çudi, ia përsëriti se e “pat shpëtuar”, ky nuk priti më. Vrapoi dhe kërceu në ujin e ftohtë. U zhyt deri në fyt dhe i thirri kalorësit me sa zë që pati: “A isha lagë më shumë?” Kalorësi dhe ai e shikuan në sy njëri-tjetrin. Ky, i zhytur deri në fyt në ujin e akullt dhe kalorësi nga lart, me këmbët te mamuzet gjithmonë të gatshme.

Nga qershoret tjerë të bekuar, qershori 1999 është më i dashuri për shqiptarin. Në zemrën e tij vetëm ky qershor kishte sjellë lirinë. Shqiptari i Kosovës, pas një nate njëqind vjeçare, po shihte pak dritë dhe po frymonte i lehtësuar. Rrugët e shkatërruara u mbushën me njerëz që s’kishin asgjë tjetër pos shpresës. Kosovarët përqafonin shpëtimtarët, u dhuronin lule, mirënjohje të thellë dhe shumë dashuri – më shumë se sa që ndonjëherë kishin marrë ushtarët në histori. Ju, ushtarë dhe pjesëtarë tjerë të aleancës perëndimore që keni shkelur në Kosovë gjatë verës 1999, s’do të shihni kurrë më në jetë mirënjohje më të madhe se sa ajo që morët nga një popull që ishte gati të zhdukej!


Vitet në vijim dhe vështirësitë e jetës së përbashkët, nuk e zbehën dashurinë, respektin, mirënjohjen dhe falënderimin tonë:.ndaj jush, që na keni mundësuar të kthehemi në shtëpitë tona, të djegura dhe të shkatërruara, në oborret tona që ende kanë gjurmë të zinxhirëve të tankeve armike; ndaj jush, që keni sjellë një administratë që ia ka filluar punës kur kosovarët nuk kishin as letërnjoftime dhe veturat nuk kishin targa identifikimi. Dhe ne ua besuam tërë lirinë tonë. Sepse, menduam: ishit ju që na e sollët atë. Dhe për këtë, ishim të bindur se ju do ta respektoni lirinë tonë sikur të ishte juaja. Megjithatë…

Pas disa shenjave ogurzeza pikash e presjesh, papritmas bisedimet e famshme u paraqitën në skenën, e cila për shkak se nuk është ekzaminuar tamam dhe për shkak se asnjë fajtor nuk është gjetur as dënuar, mund të cilësohet ende si skenë e krimit. Dhe me kënd do t’i bëjmë këto bisedime? Do të bisedojmë për Kosovën tonë me ata që udhëheqës – atëherë dhe tash – kanë ata që kanë helmuar fëmijët tanë; që janë çjerrë se do t’ua presin gishtat atyre që kërkojnë demokraci; ata që kanë përzënë nga shkolla dhe puna, dhe më vonë nga Kosova, miliona shqiptarë; ata që i kanë shkaktuar gjakderdhjet dhe masakrat më të paimagjinueshme pas Holokaustit dhe për këto kanë marrë tituj nderi (të cilat i vendosin tashmë në zyrat e presidencës së tyre)!

Do të bisedojmë me ata, intelektualët dhe kokat akademike të të cilëve kanë thënë turpe të tilla sikur “mos u jepni lapsat”; që kanë bërë plane e elaborate për zhdukjen, deportimin dhe infektimin me sëmundje vdekjeprurëse të shqiptarëve! Do të flitet me ata që mbajnë për heronj krejt strukturën që ka shkaktuar krimet e llahtarshme në fund të shekullit të kaluar! Do të flitet me ata që edhe pas gjithë këtyre, as plan nuk e kanë të kërkojnë falje!

Dhe ju po na shtyni drejt këtyre bisedimeve, rezultatet e të cilave dihen. Sepse, nëse nuk do të diheshin rezultatet, pse do të bisedonin dy shtete sovrane, kur temë bisede është vetëm njëri nga ta. Pse të bëhen bisedime politike me një shtet që nuk e njeh ekzistencën tonë? Pse të bisedohet politikisht me dikë, nga politika e të cilit kosovari është futur, jo një herë, në hapësira për jetë të zhveshur? Dhe, krejt këto, ende pa pasur asnjë shenjë keqardhjeje për viktimat, eshtrat e të cilave ende mbahen në humbëtirat e anëtarit të “denjë” për integrime evropiane.

Ju po na nxisni drejt këtyre bisedimeve – gjithmonë politike – sepse ne ua kemi besuar lirinë tonë. Po, ju mund ta bëni këtë, sepse ju e keni lirinë tonë në duart tuaja. Ju keni në dorë zhvillimin tonë, njohjet, integrimin, liberalizimin e vizave dhe jetën tonë. Ju, që keni dhënë aq shumë për ndaljen e luftës dhe ndërtimin e paqes, mund të na këshilloni, propozoni, shtyni, nxisni, mbështetni, premtoni… Së fundi: edhe të na diktoni e kushtëzoni. Mirëpo, nuk mund të na ndaloni t’ju pyesim: A na keni çliruar, a jo?

Në trend

Më shumë
Mike Tyson jep parashikimin për luftën Fury-Usyk dhe bën një pretendim të guximshëm

Mike Tyson jep parashikimin për luftën Fury-Usyk dhe bën një pretendim të guximshëm

Boks
Shtyrja e afatit për regjistrimin e popullsisë, ASK jep detaje nga Plani i veprimit

Shtyrja e afatit për regjistrimin e popullsisë, ASK jep detaje nga Plani i veprimit

Lajme
Zbulohen emrat e pesë lojtarëve të Barcelonës të “keqtrajtuar” nga Xavi

Zbulohen emrat e pesë lojtarëve të Barcelonës të “keqtrajtuar” nga Xavi

La Liga
Sa para do të fitojnë Fury dhe Usyk nga përballja e sotme në Arabinë Saudite?

Sa para do të fitojnë Fury dhe Usyk nga përballja e sotme në Arabinë Saudite?

Boks
Dështimi për anëtarësim në KiE, Haradinaj: Betejën e patëm humbur edhe në UNESCO dhe INTERPOL - jemi në rrethana të rënduara gjeopolitike, jo në vitin 1999 e 2008

Dështimi për anëtarësim në KiE, Haradinaj: Betejën e patëm humbur edhe në UNESCO dhe INTERPOL - jemi në rrethana të rënduara gjeopolitike, jo në vitin 1999 e 2008

Lajme
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Kalo në kategori