LAJMI I FUNDIT:

E vërteta e “Kodit biblik”

E vërteta e “Kodit biblik”

Çfarë fshihet në Dhiatën e Vjetër? Cilat atentate dhe cilat ngjarje të mëdha historike janë koduar aty? Si funksion kodi biblik? A e parashikon kodi biblik të ardhmen? Telegrafi ju sjell më poshtë një nga historitë më intriguese e më kontroverse të viteve të fundit...

Më 2 shtator 1994, gazetari amerikan Michael Drosnin takohet në Jerusalem me kryeministrin izraelit, Jitzak Rabin. Ai ia dorëzon poetit hebre – Chaim Guri – një letër, të cilën ky ia jep më vonë kryeministrit.

“Një matematikan izraelit ka zbuluar kodin biblik, i cili si duket zbulon detaje të ngjarjeve që kanë ndodhur mija vite pasi Bibla është shkruar”, shkruante në atë letër. “Arsyeja pse flas për këtë është se në një vend, emri juaj i plotë – i koduar – kryqëzohet me fjalën ‘vrasësi që do të vrasë’… Këtë kodim nuk duhet injoruar, sepse aty janë gjetur edhe atentatet e kryera ndaj Anvar El Sadatit, John dhe Robert Kennedyt…”!

Më 4 nëntor 1995, me një të shtënë në shpinë, nga ana e një njeriu i cili mendonte se ishte në një mision të Zotit, ndodh vrasja e cila në Bibël është koduar para tremijë vjetësh. Pas vrasjes së Rabinit, emri i vrasësit – “Amir” – është gjetur pranë emrit “Jitzak Rabin” dhe fjalës “Vrasësi që do të vrasë”. Ai po ashtu identifikohet si izraelit: “Vrasësi i tij, njëri nga populli i tij, njëri që afrohet afër”. Kodi po ashtu tregon se kur do të ndodhë kjo vrasje – “Shtator 1995…”


“Torah”

Këtë kod e ka zbuluar Eliyahu Rips, njëri nga ekspertët më të mëdhenj të teorisë së grupeve (degë e matematikës e cila bazohet në fizikën kuantike). Në Bashkimin Sovjetik, si i diplomuar i ri, Rips është arrestuar për shkak të demonstratave kundër invadimit rus në Çekosllovaki më 1968. Dy vjetët e ardhshme i ka kaluar si i burgosur politik. Më vonë, me ndërhyrjen e një matematikani perëndimor, është liruar dhe i është mundësuar emigrimi në Izrael. Tashti ai është profesor në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.

Rips shpesh citon një mendimtar të shekullit XVII, të njohur si Gjeniu nga Vilni: “Ligji është ky: krejt çfarë ka qenë dhe do të jetë deri në fund të botës, është e përfshirë në Tora… prej fjalës së parë deri në të fundit. Jo vetëm në kuptimin e gjerë, por në çdo detaj të çdo lloji dhe të çdo individi, si dhe detajet e detajeve që kanë ndodhur prej ditës së lindjes, deri te fundi i tij…”!

“Kodi Biblik është një program kompjuteri”, thotë Rips. Në ekranet e kompjuterit të tij paraqiten shkronjat hebreje: “Husein”, “Skad (Scud)”, dhe “projektilët rusë” që kanë qenë të koduara në librin e Gjenezës. Kodi vërteton këtë fjalë: “Hyseini ka zgjedhur ditën”.

“Në Gjenezë, në kapitullin XIV, ku kemi gjetur tregimin për luftërat e Abrahamit me mbretërit përreth; kemi gjetur datën – ‘zjarri më 3 Shevat’…”, thotë Rips. Kjo ditë, në kalendarin hebraik, është e njëjtë me datën 18 janar 1991 – data kur Iraku lanson projektilin e parë “Skad” mbi Izraelin. Kush e ka ditur, para tremijë vjetësh, se a do të ketë luftë në Gjirin Persik në shekullin XX? “Zoti”, thotë Rips.

Kodi Biblik është zbuluar në versionin origjinal – hebraik – të Dhiatës së Vjetër. Ky kod ekziston vetëm në këtë gjuhë, sepse kjo është gjuha origjinale e Biblës. Rips thotë se elementet e para të kodimit i ka gjetur te një rabin në Pragë, para 50 vjetësh. Ky rabin, H.M.D. Weissmandel, kishte thënë se nëse i kapërcen 50 shkronja, e pastaj 50 të tjera, dhe prapë 50… formohet fjala “Torah” në fillim të Gjenezës. Por, me kalimet e njëjta fitohet kjo fjalë edhe në Librat tjerë të Dhiatës së Vjetër… “Prandaj, fillimisht kam numëruar shkronjat sikur Weissmandel”, thotë Rips.

Kompjuteri…

Por, para rabinit Wiessmandel, ishte shkencëtari i madh anglez, Isac Newton, ai i cili u mundua i pari ta zbulojë këtë kod. Newton, shkencëtari i parë modern, njeriu i cili e ka llogaritur mekanikën e sistemit diellor dhe i cili ka zbuluar forcën e gravitacionit, ishte i sigurt se ekziston një kod i fshehur në Bibël, i cili mund të zbulojë të ardhmen. Ai e ka mësuar hebraishten dhe e ka kaluar gjysmën e jetës duke u munduar që ta gjejë.

Kur Keynes është shpallur rektor i Universitetit të Kembrixhit, atje ka gjetur shënimet të cilat Newton i kishte palosur më 1696, atëherë kur largohet nga posti i rektorit. Keynes ishte i shokuar, sepse, pjesa më e madhe – e miliona fjalëve të shkruara me dorën e Newtonit – nuk kishte të bënte me matematikën dhe me astronominë, por me ezoteri dhe teologji. Fizikani i madh kishte besuar se në Bibël gjendet parashikimi i fshehur i historisë njerëzore. Keynes thotë se “për Newtonin Bibla ishte tërë Gjithësia”.

Tendencat e zbulimit të këtij kodi nga Newton dështuan, por nuk dështoi edhe Rips, sepse ai kishte aparatin që Newtonit i kishte munguar: kompjuterin! “Kur e aplikova kompjuterin, e bëra këtë depërtim”, thotë Rips. “Kjo ka qenë dita më e lumtur në jetën tim”.

Për ta bërë këtë hap, Rips ndihmohet nga izraeliti tjetër, fizikani Doron Witztum, i cili përpunoi modelin matematikor për kompjuter. Kështu, ai me disa kolegë të tjerë hulumton emrat e 32 mendimtarëve – që nga kohërat biblike e deri te ato moderne – nëse datat e lindjes dhe të vdekjes së tyre janë koduar në librin e parë të Biblës. Këta emra janë kërkuar edhe në përkthimin hebraisht të “Luftës dhe Paqes”, dhe në shumë tekste të tjera hebreje. Por, vetëm në Bibël këta emra dhe këto data ishin koduar në të njëjtin vend.

Në librat tjerë kjo nuk ka ndodhur. Me të marrë vesh për këtë, deshifruesi Harold Gans – nga shërbimi i kundërzbulimit amerikan – i nis hetimet. Gans e ka njohur hebraishten dhe ka thënë në fillim se “kodi biblik është qesharak”. Për ta rrëzuar këtë teori, ai shkruan programin e tij origjinal në kompjuter, si dhe i heton informacionet të cilat izraelitët i kanë gjetur. Por, datat në të cilat kanë lindur dhe kanë vdekur mendimtarët, janë koduar me emrat e tyre! Gans nuk ka mundur të besojë, prandaj ka kërkuar dëshmi të reja. “Nëse kjo është e vërtetë, atëherë edhe qytetet në të cilat këta mendimtarë kanë lindur dhe kanë vdekur duhet të jenë të koduara”?! Në eksperimentimet 440-orëshe, u vërtetua edhe kjo. “Mu rrëqeth trupi”, thotë sot Gans. “Synova rrënimin e kodit, ndërsa vazhdova duke e vërtetuar”.

Kodimi…

Rips thotë se secili kod është rast i shtimit të secilës shkronjë – në x distancë identike – për ta formuar një fjalë. Sipas tij, ekziston një sasi e pakufishme e informatave të koduara në Bibël. Fjalët kryqëzohen vertikalisht, horizontalisht dhe në diagonale. Por, edhe në dimensionin e tretë (i cili deri tash nuk dihet se si të arrihet)!?

Për ta gjetur këtë kod, Rips i ka eliminuar të gjitha zbrazëtitë në mes fjalëve, dhe e ka shndërruar tërë Dhiatën e Vjetër në një rend të pafund, të gjatë prej 304805 shkronjash. Sipas legjendës, kjo ishte mënyra se si Mojsiu e ka pranuar Biblën nga Zoti: “Pandërprerë, pa frymë në mes të fjalëve”. Pasi e gjen fjalën kryesore, kompjuteri kërkon informatat ndërlidhëse. Në shumë raste gjenden emrat e ndërlidhur, datat dhe vendet, të koduara bashkë. Kështu, te Lufta e Gjirit janë gjetur bashkë “skadët” me “projektilët rusë”, si dhe data kur lufta fillon. Te “Bill Clinton” është gjetur “president”; te “Kennedy” është gjetur “Dallas”, te “Lufta e Dytë Botërore” gjendet “Roosevelt”, “Churchil”, “Stalin” dhe “Hitler”. “Amerika” kodohet me “Revolucioni” dhe “1776”; “Napoleoni” me “Franca”, “Vaterlo” dhe “Elba”; ndërsa “Komunizmi”, i cili e ndryshon shekullin XX, kodohet me “Revolucion”, “Rusia” dhe viti “1917”.

Në Bibël janë koduar mijëra informata. Madje, edhe informatat e rëndësishme nga shtypi ditor. Kur është fjala te “udhëtimi në Hënë”, kjo fjalë është koduar edhe me datën kur ka shkelur Neil Armstrong në Hënë – më 20 qershor 1969 – si dhe me fjalët e tij: “Hap i vogël për njeriun, por i madh për njerëzimit” (në Bibël është gjetur në këtë formë: “Është bërë nga ana e njerëzimit, përmes një njeriu”). Kjo fjali është koduar bashkë me “Apollo 11”, pikërisht në vendin ku Zoti i thotë Abrahamit: “Shiko në qiell, numëroi yjet, nëse mund t’i numërosh”?

A mund të ndodhë që data e Luftës së Gjirit dhe atentati i Rabinit të jenë vetëm rastësi? Rips e merr një monedhë nga gjepi dhe e hedh në ajër. “Nëse kjo është monedhë normale, njëherë duhet të bie koka, e njëherë numri. Nëse e hedh 12 herë dhe çdo herë bie koka, atëherë të gjithë do të thonë se ai peshon në njërën anë. Ndërsa, mundësia që e njëjta anë të bie 12 herë pandërprerë është një me një milion. Pra, Bibla është si monedha e peshuar. Ajo është e koduar”…

Matematikani i njohur, Robert J. Aumann, një ndër ekspertët kryesor në botë për teorinë e lojës, thotë: “Kodi biblik është një fakt. Në aspektin statistikor ai është përtej asaj që normalisht kërkohet. Standardi më rigoroz i përdorur ndonjë herë është 1 me 1000. Rezultatet e Ripsit janë në nivelin 1 me 1000000”.

Historia në 304805 shkronja?

Einstein dikur ka thënë: “Dallimi në mes të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes është vetëm një iluzion. Koha nuk është fare ajo që duket. Ajo nuk rrjedh vetëm në një drejtim, sepse e ardhmja ekziston të njëjtën kohë me të kaluarën”. Stephen Hawking, fizikani më i madh i ditës së sotme, beson se një ditë mund të udhëtohet nëpër kohë. Prandaj, ndoshta poeti T. S. Eliot kishte të drejtë kur thoshte: “Koha e tashme dhe koha e kaluar / ndoshta të dyja janë të pranishme në kohën e ardhshme / ndërsa koha e ardhshme është përfshirë në kohën e kaluar”.

Si mundet njeriu ose Zoti të shohë atë që ende nuk ka ndodhur? Rips përgjigjet në mënyrë fetare: “Krijuesi nuk është i kufizuar në kohë dhe në hapësirë. Për ne e ardhmja nuk ekziston. Për Krijuesin, tërë Gjithësia, prej fillimit e deri në fund, është parë me një shikim”!

A mund të jetë tërë kjo e vërtetë? A ndodh që ndonjë inteligjencë jonjerëzore ta ketë koduar Biblën? A është kjo mashtrim? Pse pesë librat e Dhiatës së Vjetër nuk mund të përdoren, nëse vetëm një shkronjë mungon?

Një ndër matematikanët kryesor të Harvardit, David Kazhdan, thotë se beson se Kodi Biblik është i vërtetë, por se nuk mundet të shpjegojë se si kjo vepron. “Duket se Bibla është koduar para 3 000 vjetësh me informatat për ngjarjet e ardhshme”, thotë Kazhdan. “I kam parë rezultatet. Nuk ka bazë shkencore që kjo të mohohet”!

Pjatetski-Shapiro, matematikani kryesor në Universitetin e Jejlit, po ashtu e vërteton kodin biblik. “Besoj se është real”, thotë ai. “I kam parë rezultatet: ‘Hitler’ dhe ‘nazi’ ishin koduar bashkë me ‘masakra’. Ndërsa, ‘Ajhmani’, përgjegjësi për kampet e përqendrimit, ishte i koduar me ‘furrat’ dhe ‘asgjësimi’. ‘Aushvici’ ishte i koduar në vendin ku Bibla thotë: ‘Fundi i tërë trupit (njerëzor)’. Madje edhe detajet teknike për ‘zgjidhjen përfundimtare’ ishin aty. Gazi i përdorur për vrasjen e hebrenjve, ‘ciklon B’, ishte i koduar me ‘Ajhman’…”. Por, profesori Shapiro nuk ishte në gjendje të shpjegonte se si është bërë kjo? Ai ndalet dhe thotë: “Mendoj se ekziston vetëm një përgjigje, se Zoti ekziston”!

Çdo shkencëtar në botë, i cili e merr vesh këtë kod, thotë se as superkompjuterët më të shpejtë, as të gjithë kompjuterët e botës bashkë, nuk mund ta kodojnë Biblën, ashtu siç është koduar para 3 000 vjetësh.

Por, si mundet tërë historia të shkruhet në 304805 shkronja? “Nuk kanë kufi informatat që mund të kodohen. Janë miliarda e miliarda kombinacione dhe permutacione që dalin nga ato shkronja…”, thotë Pirs, për zbulimin i cili i ka kaluar tri nivelet e hetimit sekular (nga ekspertët tjerë). “Kodi Biblik kërkon të pranojmë atë që Bibla e kërkon – faktin se nuk jemi vetëm. Ky kod nuk ekziston për të paralajmëruar shifrantët. Ai ekziston për të dhënë vërejtje…”!?

Kritika

Harold Gans, kriptolog dhe matematikan në CIA: “Fenomeni i kodeve të fshehura në Bibël është i vërtetë. Shumë dëshmi shkencore mbështetin pretendimin e autorësisë hyjnore të Biblës. Unë kam punuar tri dekada në Qeverinë amerikane. Në fillim isha skeptik për rezultatet, por më vonë kuptova se çiftëzimi i fjalive nuk ishte i rastësishëm. Dhiata e Vjetër nuk ka ndryshuar me mijëra vjet. Si ka mundur autori i saj të dijë detajet që do të ndodhin shekujt e ardhshëm. Logjika thotë se autori nuk është njeri, por hyjni. Prandaj, kërkimi i Zotit, kuptimi i ekzistencën njerëzore, i fshehtësive të mëdha, duhet të jetë detyrë e këtij mileniumi”.

Por, “Kodi Biblik” po përjeton plotësime dhe ribotime. Numri i mbështetësve po shtohet dita-ditës, por prapë, numri më i madh i shkencëtarëve e mohon këtë kod. “Drosnin ka thënë se e ka aplikuar teknikën ELS edhe në librin ‘Lufta dhe Paqja’ dhe se nuk ka gjetur zbatim. Me siguri e ka pasur programin me viruse, sepse nga një pjesë e këtij libri – që kam mundur ta shkarkojë nga interneti – kam gjetur të gjitha analogjitë për nazistët dhe Hitlerin”, thotë kritikuesi më i madh i kodit, matematikani dhe fizikani David E. Thomas.

Pra, modelet e ngjashme mund të gjenden edhe në librat tjerë. Mirëpo, gjasat për metodën ELS (Equidistant Letter Sequence – Rendi i baraslarguar i shkronjave) në librat tjerë më të vogla. Pse? Sepse Drosnin ka gjetur emra të shkurtë, që është më lehtë. Pastaj, ai ka përdorur – në dobi të konkludimeve të tij – ortografinë fleksibile hebreje, duke përzier zanoret klasike me ato moderne, e po ashtu edhe variantet drejtshkrimore për disa bashkëtingëllore tjera.

Shënimet e përdorura nga Witztum dhe Rips përmbajnë listën e emrave të rabinëve hebrenj, ndërsa secili rabin ka emra, pseudonime dhe nofka të ndryshme. Ndërsa, problem tjetër janë sinonimet. Pra, shënimet nuk kanë qenë të verifikuara as në aspektin gjuhësor dhe historik.

“Kodi Biblik” fillon me vërejtjen për atentatin ndaj kryeministrit izraelit, Jitzak Rabin, për të vazhduar pastaj te atentatet tjera të mëdha në botë. Mirëpo, matematikani australian, Brendan McKay, ka gjetur “profeci” të tilla edhe në librin “Mobi Dik”. Aty haset Indira Gandhi, Rene Moawad, Leon Trotsky, Marthin Luther King Jr. Robert F. Kennedy… Për ironi, McKay ka gjetur dëshmi për sulmin terrorist të 11 shtatorit në tekstet e reperit “Vanilla Ice”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori