A është sharja para fëmijëve aq e rrezikshme sa mendojmë? Ja e vërteta që nuk e prisnit

A është vërtet kaq e dëmshme sharja para fëmijëve?
Pothuajse çdo prind të paktën një herë është gjendur në të njëjtën situatë të pakëndshme: nga goja u del një sharje pikërisht në momentin kur fëmija futet në dhomë. Pason një panik i shkurtër, ndjenjë faji dhe ai shikimi karakteristik i vogëlushit që duket sikur thotë: “Sapo the një fjalë të keqe”. Megjithatë, pavarësisht frikës së prindërve, hulumtimet tregojnë se fëmijët janë shumë më rezistentë sesa mendojmë.
Ekspertët thonë se fëmijët fillojnë t’i njohin sharjet shumë herët dhe deri në fillim të shkollës mesatarisht mësojnë rreth 30-40 shprehje fyese. Por njëkohësisht theksojnë se nuk ka prova që vetëm dëgjimi i sharjeve ndikon negativisht në zhvillimin e fëmijës. Një sharje e rastësishme, e shqiptuar në afekt, nuk lë pasoja afatgjata. Më e rëndësishme është atmosfera e përgjithshme ku rritet fëmija: respekti, mënyra e komunikimit dhe shembulli që japin prindërit çdo ditë.
Pse nuk duhet të panikojmë?
Pavarësisht nëse shani shpesh apo vetëm në momente dhimbjeje apo tronditjeje, për shembull kur fëmija ju shkel këmbën me biçikletë, gjasat janë të mëdha që ai tashmë ka dëgjuar ndonjë “fjalë të ndaluar”. Kjo shpesh i shqetëson prindërit, sepse kanë frikë se kanë “njollosur” pafajësinë e fëmijës.
Por linguisti dhe profesori i shkencave kognitive, Benjamin Bergen, thotë: qetësohuni, fëmijëve nuk u bën dëm.
Sigurisht, është shumë e rëndësishme të bëhet dallimi mes sharjes para fëmijëve dhe sharjes drejt fëmijëve. Fyerjet, poshtërimet dhe shpërthimet agresive janë forma të dhunës emocionale. Por të shqiptohet një sharje në afërsinë e tyre nuk është diçka që do të dëmtojë shëndetin e tyre mendor apo gjuhësor.
Bergen, edhe vetë prind, tregon se përpiqej të autocensurohej, por pyeste veten nëse kjo kishte kuptim. Përfundimi i tij shkencor: nuk ka arsye për shqetësim të tepërt, shkruan YourTango, përcjell Telegrafi.

Cilat fjalë e dëmtojnë vërtet fëmijën?
Në librin e tij “What the F: What Swearing Reveals About Our Language, Our Brains, and Ourselves”, Bergen shpjegon se sharjet e zakonshme, ato që thuhen nga inati, zemërimi ose si shaka, nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë te fëmija. Prindërit zakonisht frikësohen se fëmija mund ta përsërisë fjalën në moment të gabuar, për shembull në shkollë.
Por ato që u bëjnë realisht dëm fëmijëve janë fyerjet dhe ofendimet ndaj njerëzve të tjerë. Komentet ziliqare, poshtëruese apo nënçmuese i mësojnë fëmijët modele sjelljeje që më vonë mund të kthehen në agresion ose dhunë ndaj bashkëmoshatarëve. Pra, problemi nuk është fjala vetë, por qëllimi pas saj.
Si të reagojmë kur na “shpëton” një sharje?
Fëmijët, gjatë rritjes, do të dëgjojnë sharje kudo: në shkollë, në internet, në rrugë. Prandaj është thelbësore që prindërit ta shndërrojnë situatën në një moment edukimi.
Në vend të panikut, mjafton t’i shpjegoni fëmijës se ka fjalë që të rriturit ndonjëherë i përdorin, por që nuk janë të përshtatshme në çdo situatë. Shtoni se keni gabuar, kërkoni falje dhe vazhdoni aktivitetin tuaj.
Sipas studimeve, fëmijët mbajnë mend shumë më tepër si përballen prindërit me gabimet dhe emocionet e tyre, sesa çdo fjalë të vetme që dëgjojnë.
Prandaj ekspertët theksojnë: një sharje e rastësishme nuk është arsye për alarm, ajo madje mund të jetë një mundësi e mirë për të mësuar fëmijën rreth përgjegjësisë, emocioneve dhe komunikimit. /Telegrafi/






































