Site icon Telegrafi

A duhet të bëhet merak një shtatzënë, nëse barku i saj duket i vogël

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Është normale që njerëzit përpiqen të duken atraktiv. Është fenomen psikologjik që kur e shohim një vajzë të bukur ose një djalë të pashëm, atëherë për atë person mendojmë se ka edhe shumë atribute tjera pozitive.

Për këtë arsye sot shumica prej nesh jemi në përpjekje të vazhdueshme që të kemi më pak kilogramë se ç’kemi aktualisht. Dikush mban dietë, dikur balancon ushqimet në mënyrë që të merr më pak kalori, dikush tjetër shkon rregullisht në qendër fitnesi, por qëllimi i përbashkët është që të ulet numri i kilogramëve.

Por, një fenomen i çuditshëm ndodhë kur po e njëjta grua mbetet shtatzënë. Zakonisht, shtatzënat shqetësohen shumë nëse dikush iu thotë se barku i saj është i vogël. Është e zakonshme që në biseda me një shtatzënë shoqet e saj e komentojnë madhësinë e barkut dhe nëse i thonë se “nuk është fryrë aq shumë”, ato mendojnë se diçka nuk është në rregull me beben e tyre.

Natyrisht që ka raste kur një bebe nuk rritet aq sa duhet dhe në këtë rast duhet të bëhet vëzhgim më i kujdesshëm ose ndoshta edhe ndonjë intervenim mjekësor, por zakonisht madhësia e dukshme e barkut nuk e përcakton mirëqenien e bebes.

Është mirë që shtatzëna të bazohet në mendimin e mjekut obstetër i cili e përcjell shtatzëninë dhe t’i lërë anash mendimet e miqve për madhësinë e barkut të saj.

Barku tek një shtatzënë matet me centimetra duke filluar nga java 20. Ekziston një formulë e thjeshtë për ta llogaritur se a është rritur aq sa duhet barku i një shtatzëne. Sipas kësaj formule beba ka rritje normale nëse distanca prej simfizës e deri te fundusi i mitrës e shprehur në centimetra përputhet me javët e shtatzënisë (me lëkundje plus 2 dhe minus 2 javë).

Domethënë, nëse një grua është në javën e 30 të shtatzënisë, atëherë distanca prej simfizës e deri te fundusi i mitrës normalisht duhet të jetë 28 deri 32 centimetra (domethënë 30 +/- 2).

Janë disa arsye se përse barku i një gruaje shtatzënë mund të duket “i vogël”:

1. Kur gruaja është shtatzënë për herë të parë. Gratë të cilat nuk qenë më parë shtatzënë i kanë muskujt më të tendosur dhe për këtë arsye bebja mbetet më lartë në barkun e nënës.

2. Pozicioni i bebes në mitrën e nënës ndryshon gjatë shtatzënisë, por zakonisht pas javës së 32 beba zakonisht ka vendosje gjatësore me kokë teposhtë. Varësisht nga pozicioni i bebes barku mund të duket me madhësi dhe formë të ndryshme.

3. Gjatësia trupore e shtatzënës ndikon në përshtypjen se sa e madhe mund të jetë bebja. Gratë të cilat janë shtatlarta dhe të cilat distancën midis pelvikut dhe brinjëve e kanë më të madhe, ato kanë hapësirë të mjaftueshme për ta “akomoduar” beben në brendi të barkut të tyre. Për këtë arsye bebja në barkun e tyre mund të duket më e vogël se s’është në të vërtetë.

Ndonjëherë shtatzënat bëhen merak se barku iu është rritur shumë. Ndonjëherë ato dyshojnë se mos ndoshta kanë dy bebe në barkun e tyre. Ato janë të shqetësuara edhe për beben, por kanë merak edhe për lindjen, sepse kanë frikë se a mund të lindin me rrugë vagjinale.

Përveç rasteve me diabet, zakonisht shtatzënat e rrisin beben e tyre me dimensione adekuate për pelvikun e tyre. Rrjedhimisht ato nuk duhet të brengosen se a mund të lindin me rrugë natyrale. Barku mund të duket i madh nëse një grua ka binjakë, nëse ka lëng amnial të shtuar ose nëse ka diabet.

Është vështirë që të vendosen konkludime të përgjithshme për të gjitha gratë, por janë disa arsye se përse barku i disa grave duket i madh, ndonëse beba ka dimensione normale.

1. Nëse shtatzëna ka lindur dy ose më tepër fëmijë. Në këtë rast muskujt e barkut janë më të flashkët dhe rritja e mitrës bëhet më e dukshme krahasuar me shtatzëninë paraprake.

2. Pozicioni i bebes bën që barku të duket ndonjëherë më i madh e ndonjëherë më i vogël.

3. Gjatësia trupore e shtatzënës. Gratë shtatshkurta tek të cilat distance prej brinjve deri te pelviku është e vogël kanë më pak hapësirë për ta mbajtur beben brenda barkut të tyre prandaj barku del jashtë.

/Telegrafi/

Exit mobile version