19-vjeçarja vdes pasi ishte goditur në kokë nga çekani gjatë stërvitjeve

Aspiruesja olimpike e hedhjes së çekanit, Alegna Osorio, ka vdekur sot (e enjte) prej plagëve të marra gjatë një aksidenti në stërvitje, njofton Instituti Kombëtar i Sporteve të Kubës.
19-vjeçarja ishte goditur tragjikisht nga një çekan i lëshuar prej kolegeve të saja në një fushë sportive në Kubë, në muajin prill.
“Ne ndajmë këtë dhimbje të rëndë me familjen e saj”, ka thënë Osvaldo Vento, president i Institutit Kombëtar të Sporteve të Kubës - transmeton Kosovapress.
Osorio ishte renditur e katërta në olimpiadën e të rinjve në 'Buenos Aires 2018' dhe kishte fituar një medalje bronzi në kampionatin Pan-Amerikan për nën 20-vjeçarë që u mbajt para dy vitesh.
Vdekja tragjike e adoleshentes ka ndodhur sot (e enjte), ndërsa sportistë të shumtë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, 'Tokio 2020', i kanë bërë homazhe në rrjetet sociale.
“I dërgoj dashuri familjes së saj në këtë kohë të vështirë. Kjo është diçka shumë e trishtuar", shkruan hedhësja amerikane e çekanit, Gwen Berry.

















































