Drejtësia për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, nuk duket as në horizont. Në këtë përfundim ka ardhur organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International, duke thënë që për 20 mijë raste të dhunimit, janë dënuar deri më tash vetëm 5 persona.
Organizatat joqeveritare, të cilat ndihmojnë viktimat e dhunës seksuale në Kosovë thonë se tek gratë ekziston skepticizmi lidhur me këtë çështje, ndërkohë që gratë, një numër i madh i tyre, madje nuk janë as të gatshme që të përballen këtë.
Organizata Amnesty Intenational, në raportin e saj të fundit ka thënë se për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ende nuk është vënë drejtësia. Sipas kësaj organizate, të mbijetuarat “e dhunës së tmerrshme seksuale, tash e disa vite kanë qenë të tradhtuara nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e ndryshme”.
“Kryerësit e veprës i kanë ikur ndjekjes penale, ndërkaq të mbijetuarit kanë qenë të margjinalizuar, të harruar dhe pa qasje në drejtësi. Kjo po fillon të ndryshojë, por ende është përpara një rrugë e gjatë”, ka thënë zëvendësdrejtori për Evropë i Amnesty International, Gauri van Gulik.
Amnesty International vë në dukje që dhunimi dhe mënyra tjetër e dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave shqiptare, kanë qenë gjerësisht të përhapura në Kosovë, kur policia serbe, paramilitarët dhe Ushtria jugosllave kanë udhëhequr fushatën e persekutimit dhe dhunës. Pas kësaj, gratë dhe vajzat nga bashkësitë serbe dhe rome, kanë qenë gjithashtu të dhunuara nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thuhet në raportin e Amnesty International.
Deri më tash, vetëm katër persona nga bashkësia serbe janë dënuar për dhunë seksuale para Tribunalit të Hagës, ndërkohë që një shtetas i Kosovës është dënuar nga gjykata serbe.
Gjykime të tilla, në Kosovë, nuk ka pasur, ndërkohë që përgjegjës për lëndët e tilla kanë qenë njerëzit nga misionet ndërkombëtare, sikurse UNMIK-u dhe Bashkimin Evropian, të cilët nuk kanë pasur sukses të arrijnë deri te provat.
“Kjo do të jetë një sfidë e madhe për prokurorët për krime të luftës në Kosovë, kur ata të marrin përgjegjësinë nga trupat ndërkombëtarë”, thuhet në raport.
Jones: Nuk pa pasur drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës
Mirlinda Sada nga shoqata “Medica Gjakova”, organizatë kjo që ofron ndihmë psiko-sociale për viktimat e dhunës seksuale , thotë për Radion Evropa e Lirë se nevojitet shumë punë për qasjen e kësaj kategorie në gjyqësor, duke nënvizuar se shumë gra nuk janë të gatshme që të ballafaqohen me këtë dhe që tek ato ekziston skepticizëm lidhur me këtë çështje.
“Disa gra i kanë lajmëruar rastet, por asgjë nuk është ndërmarrë. Gratë mendojnë se ende nuk janë të gatshme që të dalin para gjyqit, por edhe në qoftë se dalin, kanë dilemat se çfarë mund t’iu ndodhë kryerësve të veprave. Nevojitet më shumë bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe me organizatat tona, në mënyrë që gratë të binden që ta paraqesin krimin që u ka ndodhur”, theksoi Sada.
Por, gati se pas 20 vjetësh, viktimat e dhunës seksuale në Kosovë do të munden ta realizojnë kompensimin ndaj tyre në shumën prej 230 euro.
Pritet që Komisioni qeveritar për pranimin dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunë seksuale, do të fillojë së shpejti të pranoj aplikacionet.
Kryesuesja e këtij komisioni, Minire Begaj-Balaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se së shpejhti do të vendoset për datën kur komisioni do të fillojë pranimin e aplikacioneve.
“Gjatë këtij muaji është duke u zhvilluar fushata informative për të gjithë ata që do të jenë shfrytëzues të ligjit. Komisioni, së shpejti, do të vendosë për datën se kur do të fillojë aplikimi për verifikimin e statusit. Është çështje ditësh kur do të ndodhë kjo”, ka thënë Begaj-Balaj.
Edhe organizatat joqeveritare që përfaqësojnë viktimat, thonë se aplikacionet janë të gatshme dhe se aplikimi pritet të fillojë në janar të vitit 2018.
Mirlinda Sada thekson se në fillim ka pasur hezitime të grave për shkak të stigmatizimit në shoqëri, ndërkaq që kohëve të fundit është shtuar interesimi, marrë parasysh që janë ndërmarrë hapa konkret në këtë drejtim.
“Ato gra kanë nevojë të madhe për kompensim, marrë parasysh situatën ekonomike te ne, veçanërisht në vendet rurale. Nuk bëhet fjalë për kompensimin e asaj që u ka ndodhur, por më tepër bëhet fjalë për simbolikën që tregon që dikush mendon për to, që dikush dëshiron t’i ndihmojë dhe se ky nuk është faji i tyre por është faji i dikuj tjetër”, theksoi Sada.
Sada ka shtuar se gjatë vitit të parë mund të priten deri në 1 mijë aplikime, jo vetëm gra, por edhe burra të cilët kanë qenë të keqtrajtuar seksualisht.
Ky krim ka qenë me vite të tëra temë tabu në shoqërinë e Kosovës për shkak të paragjykimeve se dhuna seksuale është turp për familjen dhe shoqërinë. Kuvendi i Kosovës, në vitin 2014, ka vendosur që kësaj kategorie t’i rregullohet me ligj statusi dhe t’i mundësohet pensioni. Deri më tash, mjaft afate janë shkelur.
Qeveria e Kosovës, me vonesë prej tri vjetësh, ka formuar Komisionin për verifikimin e statusit të këtyre viktimave, me mandat pesëvjeçar, i cili në fillim të vitit 2018 do të duhej të filloj pranimin e aplikacioneve.
Një numër i madh i grave, siç thonë nga organizata “Medica Gjakova”, këtë nuk e kanë pritur, për shkak se ndërkohë kanë vdekur.
Dy rrëfime dhunimesh gjatë luftës
Por, megjithatë, për një aplikim të tillë presin Lulja dhe vajza e saj Shpresa (emrat e vërtetë të së cilave janë të njohur për redaksinë) nga rrethina e Klinës , të cilat kanë qenë të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nga ana e pjesëtarëve të forcave paraushtarake serbe.
Lulja atëbotë ishte shtatzënë, ndërkaq Shpresa, e mitur.
Më herët, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Lulja kishte porositur të gjithë personat me përvojë të tillë që ta shfrytëzojnë atë që ofron ligji, ndërkaq meshkujt i porositë që të bisedojnë me gratë e tyre.
“Është mëkat për një grua të hesht dhe të mos e bisedojë me të shoqin atë që e mundon. Si mund ta quajnë veten burra ata që nuk mbështesin gratë e tyre në atë gjendje? Mua më vinte turp të vija në këtë organizatë, por im shoq më ka nxitur të vi dhe të bisedojë me viktimat tjera”, pati thënë Lulja.
Edhe Jeta, nga Drenica dhe tri vajzat e saj, më e reja me vetëm 13 vjet, asnjëherë nuk kanë biseduar me dikë për ato që u kanë ndodhur në shtator të vitit 1998. Vetëm një kushëri i tyre, i cili i kishte gjetur në shtëpi pas krimit që u kishte ndodhur, i kishte këshilluar që të heshtin, sepse siç u kishte thënë “kjo është tragjedi më e madhe se sa vdekja” dhe se “kjo duhet të mbetet çështje e varrosur”.
Siç ka thënë Jeta, ajo nuk guxon të aplikojë për verifikimin e statusit në mënyrë që ta realizojë pensionin ose duhet ta mendojë një arsyetim të fortë për të ardhurat, të cilat i nevojiten.
Lidhur me qasjen në drejtësi, sipas saj, as që mund të bëhet fjalë./rel/