LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Punës, mbi 800 mijë euro pensione për të vdekurit

Ministria e Punës, mbi 800 mijë euro pensione për të vdekurit

Menaxhimi i skemave pensionale vazhdon të mbetet sfidë për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

ZAP ka gjetur se Ministria ka realizuar pagesa të pensioneve për personat e vdekur. Sipas rregullave, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesit. Totali i pensioneve të paguara pas vdekjes së përfituesve arrin vlerën prej 801,723 euro. Prej tyre, 199,194 euro janë paguar në 2015 për përfituesit që kishin vdekur në 2014 e më herët. Në mesin e këtyre pagesave, kishte raste kur pensionet ishin paguar deri në 11 muaj pas vdekjes së përfituesve.

Po ashtu, ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve nga persona të cilët realizojnë të ardhura personale. Kjo ka ndodhur gjatë nëntë muajve të parë të vitit, derisa pas shtatorit 2015, gjendja lidhur me ndihmat sociale ka ndryshuar dukshëm, pasi që MPMS ka filluar bashkëpunimin për krahasimin e shënimeve me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).


Parregullsi, ZAP ka gjetur edh tek rastet ku persona të njëjtë ishin përfitues në më shumë se në një skemë pensionale. Kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së komunikimit ndërmjet databazave të brendshme të ministrisë dhe mungesës së një softueri të integruar që përfshin të gjitha skemat pensionale.