LAJMI I FUNDIT:

12,285 raste aktive me coronavirus në Kosovë

12,285 raste aktive me coronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 101.794 raste nga 502.159 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.086 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 411 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 87.423 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.285.

Ndryshe, një ditë më parë janë lehtësuar masat antiCOVID-19.


Gastronomia do të lejohet të punojë deri në orën 22:00 ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

Po ashtu, institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.

Konviktet lejohet të punojnë sipas rregullit një student në një dhomë.

Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu lejohet ta vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të rregullt duke respektuar masat për parandalimin  e përhapjes së pandemisë.

Kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë nga ora 22:30 deri në 05:00.

Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

Ndërkaq, përjashtim nga kufizimi i lëvizjes, bëjnë:

Rastet e natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi).

Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë, dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike.

Operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës. /Telegrafi/