Zyrtarët braktisin zonjën Shnajder

Pas një zhurme të gjatë mbi përfaqësimin e filmit shqiptar në garën më të madhe të vitit, në atë për çmimet “Oskar”, pas tymnajave mbi mënyrën e përzgjedhjes, dje regjisori Pirro Milkani bashkë me të birin, Enon, zyrtarizuan pjesëmarrjen e tyre me filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”.
I sapokthyer nga Festivali i Filmit Mesdhetar në Valencia, ku mori edhe një çmim jurie, Milkani u shpreh tepër entuziast për ecurinë e filmit në Shqipëri, Çeki e më së fundi për rrugëtimin drejt trofeut të madh.
Ai tha se në Çeki (filmi është një bashkëprodhim shqiptaro-çek, madje filmi është në gjuhën çeke) po bëhet festë për pjesëmarrjen e këtij filmi në garën e madhe që zhvillohet në muajin shkurt.
Përkundër kësaj atmosfere çeke, në Shqipëri ndodh e kundërta. Asnjë zyrtar nuk u paraqit në krah të Milkanëve për të prezantuar ngjarjen e madhe të filmit shqiptar, madje edhe kolegët kineastë ishin shumë të paktë.
QKK, e cila ka financuar këtë film dhe ka firmosur që ky film të kandidojë për “Oskar” në kategorinë e filmave të huaj, nuk denjoi të ishte e pranishme me asnjë përfaqësues të saj.
Tymnaja e ngritur mbi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit (versione nga më të ndryshmet janë dhënë nga kreu i QKK-së, Xhevdet Ferri), nuk u shpërnda as në këtë prezantim zyrtar.
Nga sa u kuptua, Milkanët e kanë çarë vetë rrugën deri në Los Angeles, duke mbushur formularët me kërkesat e garës e duke marrë një përgjigje pozitive. E në këtë situatë, kur shteti duket si mosekzistent, Milkanët kanë zgjedhur vërtetë rrugën më të mirë. /panorama/




















































