SC Gjilani ka siguruar një nga lojtarët më premtues të akademisë së vet, duke vazhduar strategjinë e zhvillimit të talenteve vendas.

Klubi bardhekuq ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me portierin Aridon Bllaca për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për dy vite të tjera.


Rinovimi i kontratës me Bllacën, i cili tashmë ka fituar besimin si një nga portierët më të qëndrueshëm të skuadrës, vjen si sinjal i qartë për stabilitetin dhe ambicien e Gjilanit në sezonet e ardhshme të elitës së futbollit kosovar.

Deklarata e plotë nga SC Gjilani:“Sport Club Gjilani njofton për arritjen e marrëveshjes me portierin Aridon Bllaca, duke e vënë ‘firmën’ edhe për dy vite të tjera. Bllaca i cili njëherit është edhe produkt i akademisë së klubit do të jetë pjesë e kuqebardhëve deri në verën e vitit 2027, duke rinovuar kështu marrëveshjen paraprake. ‘Gardiani’ gjilanas numëron 35 paraqitje në elitën e futbollit kosovar dhe numëron 11 porta të paprekura. Në total ai ka zhvilluar 3.039 minuta me ekipin e parë.

Drejtori gjeneral i klubit Syart Rrahmani ka uruar Bllacën me rinovimin e marrëveshjes dhe i ka dëshiruar shumë suksese në vazhdimësi.”

Ky hap i radhës tregon besimin që Gjilani ka ndaj futbollistëve të rritur në akademinë e vet, duke i ofruar atyre hapësirë për zhvillim dhe afirmim në skenën vendore.

Rinovimi me Bllacën mund të jetë një prej gurthemelëve të projektit të ri të klubit për edicionin 2025/26.

telegrafi sport app