LAJMI I FUNDIT:

ZRRE njoftoi se konsumatorët mund të dërgojnë komente rreth shtrenjtimit të energjisë elektrike, por e-mail i tyre gjendet jashtë funksionit

ZRRE njoftoi se konsumatorët mund të dërgojnë komente rreth shtrenjtimit të energjisë elektrike, por e-mail i tyre gjendet jashtë funksionit

Qytetarë të shumtë janë duke shprehur pakënaqësitë e tyre rreth rritjes së energjisë elektrike, e cila është paralajmëruar se do të jetë 15%. Mbi dy mijë qytetarë janë mbledhur në grupin e quajtur “AsnjëCentMëShumë”, ku edhe janë duke bërë mobilizim për organizimin e një proteste kundër shtrenjtimit të energjisë, e cila do të jetë më 5 prill.

Krahas këtyre shqetësimeve, nga Zyra e Rregullatorit për Energji thonë se aktualisht nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë. Po ashtu, ata njoftuan se të të gjitha palët e interesuara – përfshirë konsumatorët, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, që të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre mbi raportin e publikuar deri më 28 mars.

Por shumë qytetarë janë ankuar se nuk po mund të dërgojnë fare komente dhe reagime të ZRRE.


Telegrafi po ashtu ka tentuar të marrë një koment nga ZRRE rreth gjendjes së krijuar, mirëpo e-mail i tyre është jashtë funksionit.

Zyra e Rregullatorit për Energji është e pa qasshme edhe në faqen e tyre në Facebook, ku qytetarët nuk mund të bëjnë komente në asnjë postim të tyre, pasi opsioni i komenteve është i bllokuar.

Kundërshtimin e energjisë elektrike e kanë bërë edhe Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, bizneset, shoqëria civile etj./Telegrafi/