Policia në Vushtrri ka arrestuar një të ri 18-vjeçar, i cili dyshohet se ka shkaktuar zjarr në një arë me grurë në fshatin Sfaraqak.

Rasti ka ndodhur rreth orës 14:00, kur policia është njoftuar për zjarrin në një sipërfaqe të madhe toke bujqësore.


Pas daljes në vendin e ngjarjes dhe lokalizimit të zjarrit, përmes informatave operative është identifikuar dhe shoqëruar në stacion një person i dyshuar, i cili gjatë intervistimit ka pranuar se kishte ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina pranë fushës, pa menduar për pasojat.

Zjarri ka përfshirë rreth dy hektarë me grurë si dhe një sipërfaqe të konsiderueshme me hamullaje, duke shkaktuar dëme materiale.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Zjarrvënie”./Telegrafi/