Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 6 tetor, duket se do të marrë kohë. Kjo për faktin se Lëvizja Vetëvendosje do të ankohet sërish në Gjykatën Supreme sa i përket votave të diasporës.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Andan Rrustemi.
“Po sot do të dorëzojmë ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me 1806 fletëvotimet e diasporës që nuk janë numëruar”, ka thënë Rrustemi.
Për këto 1806 fletëvotime, Vetëvendosje ishte ankuar edhe në PZAP, mirëpo kjo e fundit ka refuzuar ankesën e LVV-së për numërimin e këtyre fletëvotimeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa i përket mosnumërimit të këtyre votave që kishin ardhur nga diaspora, ishte bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme.
“Duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar 4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212”, kishte deklaruar ky institucion.
E zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për Telegrafin se aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund t’i shpall rezultatet përfundimtare sepse duhet të presim përfundimin e të gjitha çështjeve që mund të jenë parashtruar në institucionet tjera.
“Pra, para se të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ-ja kërkon konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar apo vendosur. Vetëm pasi të kemi këto konfirmime, KQZ-ja mund të shpall rezultatet përfundimtare”, tha Elezi. /Telegrafi/