Zbardhet vrasja e Renis Dobrës, policia: U rrëmbye, u mbyt dhe u hodh në liqenin e Ulzës
Drejtoria e Policisë së Dibrës ka bërë publike rezultatet e operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, që çoi në zbardhjen e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Droba, trupi i pajetë i të cilit u gjet më 9 korrik pranë liqenit të Ulzës.
Në një konferencë për shtyp, drejtori Artion Duka deklaroi se ngjarja ka qenë një vrasje e planifikuar me rrëmbim të mëparshëm dhe pasoja fatale.
Sipas hetimeve, më 8 korrik, në fshatin Zenisht të Burrelit, Renis Droba është rrëmbyer dhe më pas është mbytur me litar nga tre vëllezërit Kristi, Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj nga Tropoja, si dhe nga i dyshuari tjetër Petrit Çakrri.
“Nga hetimet e thelluara rezultoi se shtetasi R. D. është marrë peng dhe më pas është vrarë në mënyrë të dhunshme, nëpërmjet strangulimit. Më pas, autorët kanë tentuar të fshehin trupin duke e hedhur bashkë me automjetin në liqenin e Ulzës”, u shpreh drejtori Duka.
Megjithatë, ndërsa automjeti përfundoi në ujë, trupi i pajetë i 23-vjeçarit mbeti në sipërfaqe, pranë sektorit “C” të liqenit. Zbulimi i trupit çoi në një operacion intensiv hetimor, ku u përdorën metoda speciale dhe bashkëpunim ndërinstitucional.
Pas një jave hetimesh, Policia ka arrestuar dy prej autorëve të dyshuar: 55-vjeçarin Petrit Çakrri në fshatin Golaj të Kukësit dhe 34-vjeçarin Fatjon Bushgjokaj në zonën e Astirit në Tiranë. Të dy janë vënë në pranga me akuzat për “Vrasje me paramendim në bashkëpunim” dhe “Rrëmbim dhe mbajtje peng e personit”.
Ndërkohë, dy vëllezërit e tjerë, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, janë shpallur në kërkim dhe dyshohet se kanë rol të drejtpërdrejtë në ngjarje. Prokurorja e çështjes, Alisa Spahja, theksoi se “kemi të bëjmë me një akt të rëndë kriminal, të kryer me paramendim dhe bashkëpunim të strukturuar”.
Hetimet paraprake tregojnë se viktima ka pasur një të kaluar problematike dhe ka qenë më parë i dënuar në Gjermani për shpërndarje të lëndëve narkotike. Po ashtu, dyshohet se ka pasur konflikte të hershme me autorët për çështje që lidhen me veprimtari kriminale.
Policia hodhi poshtë zërat në rrjete sociale se autorët ishin të veshur me uniforma policie apo se përdorën automjete zyrtare gjatë rrëmbimit. Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 20 telefona celularë, 7 automjete, një sasi kokaine, një shumë parash në euro dhe prova të tjera materiale.
"Hetimi ka qenë intensiv dhe profesional. Po punohet për kapjen e të kërkuarve dhe për individualizimin e përgjegjësisë së çdo personi të përfshirë", theksoi drejtori Duka.
Ndërkohë, Forca e Posaçme Operacionale ka shoqëruar katër shtetas të tjerë në Komisariatin Nr. 6 në Tiranë, të cilët po hetohen për lidhje të mundshme me ngjarjen. Hetimet vijojnë.




























