YouTube po përmirëson funksionet e redaktimit të videove për formatin Shorts, në mënyrë që të konkurrojë më mirë me TikTok-un dhe Instagram Reels, ndërsa janë shpallur disa funksione të reja të Inteligjencës Artificiale (AI) që do të vijnë më vonë këtë vit dhe që mund ta bëjnë Shorts më tërheqës për përdoruesit.

Redaktori i ri dhe i përmirësuar do t'u mundësojë përdoruesve të "bëjnë rregullime të sakta dhe të ndryshojnë kohën e secilës video me mundësinë e zmadhimit dhe rregullimit në linjën e kohës", duke përfshirë opsionin e zakonshëm për ndryshimin e rendit të klipëve dhe fshirjen e tyre.


Nga YouTube thonë se përdoruesit do të mund të shtojnë muzikë dhe tekst, si dhe të shikojnë videon në çdo moment gjatë redaktimit.

Në të ardhmen, redaktori do të ketë mundësinë e sinkronizimit automatik të klipëve me këngën, dhe përdoruesit do të mund të krijojnë sticker-a duke përdorur fotografi nga galeria e pajisjes së tyre ose duke përdorur një gjenerator të integruar AI për krijimin e imazheve.

Krijuesit e shablloneve do të udhëzohen automatikisht kur dikush përdor punën e tyre, dhe tani shabllonet përfshijnë mundësinë për të mbivendosur imazhe dhe efekte filtra.

YouTube po përpiqet të rivalizojë TikTok-un dhe Instagram-in kur bëhet fjalë për mjetet krijuese. Mjetet e TikTok-ut dhe redaktori i vet video CapCut kanë qenë standardi i artë për krijimin e videove në celular.

Duke pasur parasysh të ardhmen e pasigurt të TikTok-ut në SHBA, lëvizja e YouTube për ta bërë Shorts një alternativë më tërheqëse ka kuptim.

Kjo nuk është hera e parë që YouTube është inspiruar nga TikTok, pasi shërbimi i videove shtoi funksionin robotik të narracionit text-to-speech në vitin 2024, i cili ishte inspiruar nga versioni popullor në TikTok. /Telegrafi/