Yjet e Kosovës, Rrahmani dhe Jashari, pjesë e formacionit të javës në Itali dhe Ukrainë

Ky vikend që lamë pas ishte mjaft i suksesshëm për dy nga lojtarët e Kombëtares së Kosovës. Bëhet fjalë për dyshen Amir Rrahmani dhe Muharrem Jashari të cilët kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre tek Napoli dhe LNZ Cherkasy përkatësisht. Rrahmani falë paraqitjes së tij fantastike ndaj Torinos u vlerësua me notën 8.0 nga Sofascore, duke bërë që në fund të përfundojë në formacionin më të mirë të javës në Serie A. Gjatë 90 minutave të luajtura në atë takim, Rrahmani pati pesë spastrime të topit nga zona, një gjuajtje të bllokuar dhe katër ndërhyrje. Kapiteni i Kosovës gjithashtu kompletoi 53 pasime me një saktësi prej 91 për qind, teksa i fitoi të gjitha duelet (5) në të cilat ishte pjesëmarrës.

Në anën tjetër paraqitje të shkëlqyer pati edhe mesfushori Muharrem Jashari me fanellën e LNZ Cherkasy në elitën e futbollit ukrainas. Ndonëse ekipi i tij u mposht me rezultat të ngushtë 2-1 nga Veres Rivne, Jashari ishte më i dalluari në ekipin e tij.





















































